Arbëri

Tahiri e quan të turpshme deklaratën e presidentes Osmani për vetingun

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka reaguar ndaj deklaratës së presidentes Vjosa Osmani lidhur me procesin e vetingut.

Osmani një ditë më parë në konferencë për media ka thënë se nuk është shqetësim serioz përmbushja e vetingut, por mungesa e tij.

Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Tahiri thotë se presidentja e vendit, e ngarkuar me barrë personale për shkeljet e saj që i janë evidentuar në Raportin e Progresit, nxitoi nga e mërkura në konferencë për shtyp për t’ia bërë një analizë të paqëndrueshme gjendjes në sistemin e drejtësisë.

“Reagimi i presidentes Vjosa Osmani për Raportin e Progresit është i paqëndrueshëm, duke konstatuar se mazhoranca aktuale Kurti-Osmani po bën shkelje serioze me procesin e vetingut”, ka shkruar Tahiri.

Sipas tij, BE-ja, siç edhe partnerët e tjerë strategjikë që e kanë ndihmuar Kosovën në sektorin e drejtësisë, asnjëherë nuk kanë konstatuar se vetingu nuk duhet të ndodhë. Në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian vetingu ose rivlerësimi i plotë dhe i njëhershëm është parë shqetësim serioz.

Ky institucion thotë se vetingu i plotë nuk duhet të jetë opsioni i parë, por i fundit për vlerësimin e aktorëve të drejtësisë.