Arbëri

Basha dhe Selami në garë për kreun e PD-së

Kryesia e Partisë Demokratike miratoi në mbrëmje dy kandidatura për postin e kryetarit. Janë Lulzim Basha dhe Eduard Selami.

Në mbledhje u rrëzua edhe kërkesa e një grupi politikanësh për të bërë një analizë të thellë të humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme në 25 qershor.

Nënkryetari i PD-së, Edi Paloka tha pas mbledhjes se zgjedhjet për kreun e PD-së do të jenë demokratike dhe se të gjithë së bashku kërkojnë ringritje të PD-së. Sipas tij, mungesa e unanimitetit në mbledhje tregoi demokraci dhe vendime me shumicë votash.

Kërkesa e grupit kundër zotit Basha për ndryshimin e rendit të ditës u bë i hapur, mori vetëm 11 vota dhe u rrëzua. Ata propozuan që zgjedhja e kryetarit të bëhej pas një analize të saktë të humbjes së zgjedhjeve.

Jamarbër Malltezi kërkoi që të analizohej rezultati i zgjedhjeve dhe tha se ishte qesharake që procesi i zgjedhjes së kryetarit të ri po bëhet kaq shpejt.

Majlinda Bregu kërkoi po ashtu një diskutim të brendshëm mbi rezultatin e zgjedhjeve. Ajo tha se përçarja e PD-së ka nisur 4 vjet më parë.

Sipas saj, në PD të gjithë duhet të shohin njëri-tjetrin në sy për humbjen dhe se PD nuk është plackë për t'u ndarë. Arben Imami theksoi se PD në opozitë ka humbur në mënyrë absurde 30 për qind të votave.

Mbledhja e kryesisë së PD-së nisi në mbrëmje për të miratuar kandidaturat për kryetar, pasi në fund të korrikut mbyllet mandati i kryetarit aktual. U miratuan vetëm dy nga 7 kandidaturat e përmendura.