Arbëri

Hartë e balancuar elektorale

Hartë të balancuar elektorale mes subjekteve kryesore në vend kanë prodhuar zgjedhjet lokale të së dielës, në garën për kuvende komunale.

21 komuna do të shkojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, derisa 17 prej tyre janë bërë me kryetarë të dielën, pas numërimit të votave, që ka përfunduar të hënën në mëngjes.

Mbështetur në rezultatet preliminare, Lista Serbe ka fituar nëntë komuna- në Mitrovicë të Veriut, Zubin-Potok, Zveçan, Graçanicë, Novobërdë, Leposaviq, Shtërpcë, Ranillug dhe Partesh.

Drejtori i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka deklaruar se fitorja bindëse e Listës Serbe tregon se populli serb më shumë i beson Serbisë dhe presidentit të saj, Aleksandar Vuçiq, dhe se është argument shtesë për formimin e Asociacionit të komunave serbe.

“Si një fitore e fortë dhe bindëse për Listën Serbe, le ta dinë të gjithë se do të jetë një përgjigje e fortë si e popullit serb ashtu edhe e Listës Serbe nëse nuk themelohet Asociacionit. Nëse kjo çështje nuk ngrihet në nëntor, do të jetë përgjigjja e fortë dhe bindëse. Serbët do të largohen nga të gjitha institucionet në veri të krahinës”, ka thënë Petkoviq në një konferencë për shtyp në Qeverinë e Serbisë.

Sipas tij, pjesëmarrja e zgjedhësve në komunitetin serb ishte më e lartë se para katër vjetësh.

Partia Demokratike ka dalë subjekti shqiptar me më së shumti komuna të fituara në raundin e parë. Ka fituar në Ferizaj, Mitrovicë të Jugut, Skenderaj dhe Han të Elezit.

Ndërkaq Lidhja Demokratike dhe Aleanca kanë fituar nga dy komuna pa balotazh.

LDK-ja në Pejë e Lipjan, kurse AAK-ja në Deçan e Suharekë.

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se zgjedhjet dëshmuan që Kosova ka kapërcyer transin politik që e karakterizoi në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Ai pret që LDK-ja të fitojë në Prishtinë, Podujevë por edhe në komuna të tjera të cilat janë qeverisur nga kjo parti deri më tani.

“Këto zgjedhje treguan se Kosova e ka kapërcyer dehjen dhe transin politik që e karakterizoi në shkurt të këtij viti dhe se votuesi po i kthehet racionales. LDK tregoi rezultate të mira dhe këto rezultate do t’i fuqizojë me fitoren e Prishtinës, Podujevës dhe së paku komunave tjera që i ka qeverisur deri më tani”, ka thënë Mustafa për “KosovaPress”.

Sipas tij, votuesi i LDK-së është ngritur dhe nuk mund të mashtrohet gjatë.

Partia që udhëheq Qeverinë nuk arriti ta ruajë frymën e fitores nga zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit edhe në nivel lokal. Tetë muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme, Lëvizja Vetëvendosje nuk fitoi asnjë komunë në raundin e parë, por do të jetë pjesë e balotazhit në 12 komuna.

Në zgjedhjet e përgjithshme të 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka pasur 438 mijë e 335 vota. Në zgjedhjet e së dielës kjo parti në të gjitha komunat ka marrë mbi 152 mijë vota, që i bie mbi 250 mijë më pak.

Ka ndryshim të forcave partiake nëpër komuna nëse krahasohet me zgjedhjet e 2017-s.

Në zgjedhjet lokale të para katër vjetëve, më së shumti komuna pati fituar Lidhja Demokratike, gjithsej0 tetë prej tyre. Ndërkaq Aleanca pati fituar në shtatë komuna, Partia Demokratike në pesë komuna, Lëvizja Vetëvendosje në tri komuna. Nga një komunë e kishin fituar Aleanca për Kosovën e Re dhe Nisma. Lista Serbe pati fituar të 10 komunat e populluara me shumicë serbe.

Sa i përket votës për kuvende komunale ku vota i faturohet subjektit, rezultate të përafërta kanë Vetëvendosja, LDK-ja e PDK-ja.

Sipas përllogaritjeve bazuar në shifrat nga KQZ, prin VV-ja me 20.56 për qind, e pasuar nga LDK-ja që ka 20.41 për qind dhe PDK-ja me 19.96 për qind. AAK-ja ka arritur 12.8 për qind të votave në kuvende komunale.

Ndërsa kur është fjala për votën e kandidatëve partiakë për kryetar komune, kandidatët e VV-së kanë marrë 25.7 % të votave të hedhura në nivel vendi, e dyta është LDK me 22.6% e tyreta PDK me 21.4 % dhe e katërta AAK me 10.6 %.

Pushtet të balancuar do të ketë edhe në komunat e mëdha, përfshirë Prishtinën. Në kryeqytet VV-ja ka marrë rreth 23 mijë vota, LDK-ja afro 18 mijë e PDK-ja 12 mijë. Situatë e ngjashme është edhe në Prizren, me VV-në që ka fituar 28.59 për qind, kurse PDK-ja 25.83 për qind.

Numri i qytetarëve që kanë votuar në zgjedhjet e së dielës është rreth 43 për qind ose 770.107 votues.

Por krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2017 dalja ishte më e vogël. Në ato zgjedhje kishin votuar mbi 822 mijë votues.

Me përjashtim të disa incidenteve ku u nevojit edhe ndërhyrja e policisë, përgjithësisht dita e zgjedhjeve kaloi e qetë.