Arbëri

#Lokalet 2021: KQZ: Sot votuan 43 për qind e qytetarëve në të gjitha komunat

Sot në Kosovë zhvillohen zgjedhjet lokale. Zgjedhjet zhvillohen në 38 komuna të Kosovës, ndërkaq numri i votuesve në këto zgjedhje është 1,885,448. Numri i qendrave të votimit në tërë Kosovën është 883 ndërkaq i vendvotimeve është 2,477. KOHA po raporton nga i gjithë vendi në kohë reale. Të gjitha mund t’i gjeni më poshtë:

19:47 - KQZ: Sot votuan 43 për qind e qytetarëve në të gjitha komunat

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka thënë se të gjitha qendrat e votimit tashmë janë të mbyllura.

Sipas të dhënave preliminare, numri i qytetarëve që kanë votuar është rreth 43 për qind ose 770.107 votues.

Sipas tij, në zgjedhjet lokale të kaluara kishin votuar mbi 822 mijë votues.

19:00 - Mbyllen qendrat e vendvotimit

Në ora 19:00 janë mbyllur qendrat e vendvotimit në nivel vendi, ku gjatë tërë ditës, qytetarët kanë pasur mundësinë të votojnë për kryetarët e komunave dhe kandidatët për asamble.

KËTU mund ta shihni Projeksionin e KOHËS për zgjedhjet në Prishtinë.

18:45 - Ahmetaj: Gjithçka është gati për numërimin e votave

Shefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj ka thënë se gjithçka është gati për numërimin e votave.

Ai ka thënë se procesi i numërimit do të fillojë menjëherë pas përfundimit të votimit.

Sipas tij, Qendra e Numërimit dhe Rezultateve do t’i marrë kutitë e votimit sot pas mesnate.

“Nevojitet rreth një ditë për marrjen e fletëvotimeve. Do të bëjmë regjistrimin e gjithë votuesve me kusht dhe pastaj mund të fillojë numërimi. Brenda javës mund t’i kemi edhe rezultatet për kryetarë të komunave”, ka thënë ai.

18:40 - Rritet fluksi i qytetarëve në Podujevë, nuk respektohen masat

Në qendrën më të madhe të votimit në Podujevë 1824e në Shkollën Ekonomike "Isa Boletini", pasdite është rritur numri i qytetarëve për të votuar. Megjithatë, aty nuk janë respektuar mesat anti-COVID, pasi shumë qytetarë nuk kanë bartur maska dhe nuk e kanë mbajtur distancën sociale.

Menaxheri i kësaj qendre, Fehmi Zeqiri, ka thënë se për shkak se këtu të drejtë vote kanë rreth 13 mijë qytetarë, është i vështirë menaxhimi. Ai ka thënë se deri në orën 17:00 kanë votuar 3.990 ose 31 për qind.

Sipas Zeqirit rreth 41 për qind ka qenë dalja në këtë qendër edhe në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Podujevës vitin e kaluar.

18:00 - Edhe një orë për të votuar, në 19:00 projeksioni i KOHËS për Prishtinën

Ka mbetur edhe një orë deri në mbyllje të kutive të votimit në zgjedhjet lokale në Kosovë.

Aktualisht të dhënat e KQZ-së tregojnë dalje të ulët të qytetarëve. Deri në orën 15:00, kanë dalë vetëm 26.89 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.

Në orën 19:00, KOHA do të publikojë projeksionin për zgjedhjet në Prishtinë, për kryetar e asamble komunale. Mos ndërroni kanal – KOHAVISION.

Fluks i madh i qytetarëve është parë në qendrën më të madhe të Pejës në shkollën “Shaban Spahija”. Të drejtë vote në këtë qendër kanë rreth 11 mijë qytetarë.

17:26 - Dalje e ulët në Pejë, procesi zgjedhor cilësohet si i mbarë

Koordinatori i DNV-së në rajonin e Dukagjinit, Veton Muja, ka deklaruar se në qendrën “Ramiz Sadiku” në Pejë, procesi është duke shkuar mbarë, duke theksuar një pjesëmarrje jo të lartë në zgjedhje.

Muja ka thënë për KTV-në se kanë hasur përqindje të ulët të daljes në zgjedhje, derisa ka potencuar se në Pejë deri në orën 15:00 kanë dalë rreth 23 për qind e qytetarëve për të votuar.

“Prej 2010-s ka filluar procesi të jetë më i mirë i zgjedhjeve, edhe këto zgjedhje janë në nivel, si ato të 14 shkurtit. Këtë vit, në zgjedhjet nacionale, përqindja e daljes ka qenë më e lartë në Pejë”, ka thënë ai.

Në qendrën “Ramiz Sadiku” të drejtë vote kanë rreth 3 mijë qytetarë, derisa deri më tani kanë votuar rreth 1 mijë.

Gjithashtu, në Malishevë deri në orën 15:00 kanë dalë 14 mijë e 170 votues, apo 26.3 për qind, ka njoftuar kryesuesi i KKZ-së, Rexhep Zogaj.

Qendra e Votimit në Malishevë prinë me numrin më të madh të votuesve deri në këtë orë, ku kanë votuar 1120 qytetarë. Pasojnë Banja me 1 mijë e 55 votues dhe Drenoci me 840 votues deri në ora 15:00. Zogaj ka thënë se përqindja e votuesve për këtë periudhë kohore është më e ulët, krahasuar me zgjedhjet paraprake.

17:23 - Bllokohet një korsi e rrugës afër Qendrës së votimit “Ismail Qemali” në Prishtinë

Afër Qendrës së votimit “Ismail Qemali” në Prishtinë është bllokuar një korsi e rrugës për shkak të veturave.

Kjo për shkak të interesimit të madh të qytetarëve për të votuar në këtë qendër.

Siç raporton gazetarja e KOHËS, bllokimi i kësaj korsie ka vështirësuar rrjedhën e komunikacionit.

17:17 - Cilat janë komunat me daljen më të lartë dhe më të ulët të votuesve deri tash

Mitrovica e Veriut është komuna me daljen më të lartë të qytetarëve në votime. Sipas të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në këtë komunë kanë dalë të votojnë 55.03 për qind e qytetarëve ose 9.751 qytetarë.

Ndërkaq komuna me më së paku votues të cilët i janë nënshtruar procesit të votimit deri tash është ajo e Dragashit.

Sipas të dhënave të KQZ-së deri në orën 15 ka pasur 20.36 për qind dalje të qytetarëve për të votuar, ose 7954 persona.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se deri në ora 15:00 kanë votuar 26,95% e qytetarëve me të drejtë vote.

17:03 – Arrestohet një vëzhgues dhe një komisioner në Malishevë, shkak dyshimet për shitblerje të votës

Një vëzhgues i Nismës dhe një komisioner i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës janë arrestuar në një qendër në Malishevë për shkak të një incidenti.

Rasti ka ndodhur në Qendrën e votimit në ora 14:00, në gjimnazin “Hamdi Berisha”, ka konfirmuar kryesuesi i KQZ-së për KOHËN, Rexhep Zogaj, derisa të ditur ka bërë edhe komandanti i Policisë për rajonin e Gjakovës, Lumni Graishta. Sipas tij, rasti dyshohet se ka ndodhur për shitblerje të votës.

Të arrestuarit janë ndaluar për 48 orë./Rexhep Krasniqi

16:44 - Në Pejë u raportuan raste të fotografimit të votës

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka deklaruar se aktualisht 11 prokurorë janë të angazhuar në tërë regjionin e Pejë, në procesin e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.

Ai ka thënë për KOHËN se janë raportuar disa raste të fotografimit të votës, mirëpo nuk janë vërtetuar si të vërteta.

“Ka pasur raste kur janë raportuar incidente, fotografim i fotografisë, mirëpo është vërtetuar që s’ka pasur fotografim apo elemente të veprës penale”, ka thënë ai.

16:15 - Deri në orën 15:00, në Prishtinë votuan 28 për qind e qytetarëve me të drejtë vote

28.45 për qind e qytetarëve me të drejtë vote në kryeqytet kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre të votës deri në orën 15:00, sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Në shifra, kjo i bie se kanë votuar rreth 55 mijë qytetarë nga 195 mijë sa janë në listën e votuesve.

Përqindjen më të lartë vazhdojnë ta kenë komunat veriore dhe ato me shumicë serbe.

15:50 - Në Rahovec deri në orën 15:00 kanë votuar mbi 24 për qind të votuesve

Në Komunën e Rahovecit deri në orën 15:00 kanë votuar mbi 24 për qind të votuesve. Në këtë komunë janë mbi 57 mijë votues, ndërsa mund të votojnë mbi 78 vendvotime.

Sipas Policisë së Kosovës nuk ka pasur probleme.

Nga menaxheri i qendrës së votimit në shkollën fillore “Isa Boletini” në Rahovec është thënë se ka një numër më të vogël të qytetarëve që kanë votuar krahasim me zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.

“Në këtë qendër votojnë 7245 qytetarë. Me bë një analizë me herët e kaluara, janë 200-300 votues më pak deri më tash. Kanë votuar 1186 votues, apo 16.37 për qind”, ka thënë menaxheri i qendrës për KTV-në.


14:45 - Kandidati i AAK-së për kryetar të Pejës fton bashkëqytetarët të votojnë

Kandidati i AAK-së për kryetar të komunës së Pejës, Rrustem Berisha, ka hedh votën e tij në kutinë e fletave të votimit në qendrën e votimit në shkollën fillore “Pjetër Bogdani” në fshatin Poqestë të Pejës.

Pas votimit ai u bë thirrje qytetarëve të kësaj komune që të dalin të votojnë.

“Unë votova, në këtë ditë të rëndësishme për demokracinë. Ftoj të gjithë qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën për të votuar dhe për t’u bërë pjesë e ndryshimit në Komunën e Pejës”, ka thënë Berisha.

Nga Ilir Osmanaj

Image

14:16 - Hyseni u bën thirrje qytetarëve të Gjilanit të votojnë

Kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Gjilanit, Alban Hyseni, u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës, që të dalin e të votojnë.

Ai pasi ka votuar, i është adresuar mediave.

“Sapo përfundova obligimin si qytetar i Republikës për të votuar, për të shfrytëzuar të drejtën time për të përcaktuar fatin tim, të ardhmen time e të familjes sime. I bëjë thirrje qytetarëve të Gjilanit që të shfrytëzojnë këtë të drejtë të garantuar ligjore, në mënyrë që bashkërisht të përcaktojmë të ardhmen e qytetit tonë dhe të ardhmen e vendit tonë”, ka thënë Hyseni.


13:53 - Në Graçanicë shihet fluks i madh i votuesve

Ndryshe nga komunat e tjera deri tani, në Graçanicë është duke u parë një fluks më i madh i qytetarëve për të votuar, raporton KOHA.

Sipas KQZ-së, deri në ora 11:00 kanë votuar 2 mijë e 721 qytetarë përkatësisht 13.6 për qind. 

Edhe në orët pasuese është parë një interesim i madh për të votuar në komunën me shumicë serbe.

Në Graçanicë nuk është raportuar për ndonjë parregullsi. 


13:42 - Mandl nga Mitrovica e Veriut: Procesi i votimit po shkon mirë

Shefi i misionit mbikëqyrës të BE-së për zgjedhjet në Kosovë, Lukas Mandl, ka thënë se procesi i votimit deri më tash po shkon mirë.

Ai ka qenë në Mitrovicë të Veriut për të shikuar gjendjen në një pikë të votimit. Mandl ka ripërsëritur thirrjet për qytetarët që të dalin të votojnë.

“Kontributi më i rëndësishëm për demokracinë është të ushtrohet e drejta e votimit. Për këtë arsye dua t’u rekomandojë të gjithë qytetarëve të të dalin të votojnë, të shfrytëzojnë të drejtën e votës. Unë kam mbikëqyrur pika në vende të caktuara, këtu tash erdha. Por kolegët e mi mbikëqyrës, kanë vëzhguar këtu procesin e hapjes së votimit dhe procesin e votimit, e deri më tash po shkon mirë”, ka thënë Mandl.

Image

13:25 - Konjufca: Procesi po shkon mirë, uroj të përmbyllet kështu

Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, ka votuar në qendrën e votimit në Fakultetin e Edukimit në Prishtinës.

Pas votimit Konjufca ka thënë se uron që procesi i votimit të shkojë mirë siç po shkon aktualisht.

“Sot është ditë e rëndësishme për demokracinë, meqenëse qytetarët e Kosovës përmes votë së lirë e demokratike, do të legjitimojnë pushtetin lokal në Republikën e Kosovës. Do t’i zgjedhin kryetarët e komunave dhe do të përcaktojnë përmbajtjen e asambleve komunale. Deri tash ka shkuar çdo gjë mirë, sipas KQZ-së dhe po ashtu sipas raportimeve të misioneve të huaja të vëzhgimit të zgjedhjeve. Urojmë të përmbyllet kështu procesi e çdo gjë të shkojë mirë”, tha Konjufca.


12:53 - Në Podujevë interesim më i vogël për të votuar

Nexhat Tovërlani

Në komunën e Podujevës nuk është vërejtur shumë interesim nga ana e qytetarëve për të shfrytëzuar të drejtën e votës në zgjedhjet lokale. Në qendrën më të madhe në këtë komunë 1824e në shkollën ekonomike "Isa Boletini" deri në orën 11:00, sipas menaxherit Fehmi Zeqiri, kanë votuar 806 votues nga rreth 13 mijë sa kanë të drejtë vote në këtë qendër.

Zeqiri ka thënë për KOHËN se krahasuar me zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Podujevës në nëntor të vitit të kaluar, dalja deri në këtë kohë sivjet është më e ulët.

"Deri në orën 11:00 kanë votuar 6.3 për qind e qytetarëve në këtë qendër. Gjithçka deri tash është duke shkuar normalisht, përveç që në mëngjes 4 ose 5 komisionerë kanë nuk kanë ardhur dhe tek tash janë plotësuar të gjithë. Procesi nuk është ndalë, por ka shkaktuar pak vështirësi, sepse është dashtë që personat tjerë ndoshta të bëjnë edhe punët e tyre derisa janë plotësuar me të tjerë komisionerë", ka thënë Fehmi Zeqiri.

Për mungesën e komisionerëve, KOHA raportoi edhe në mëngjes.


12:46 - Në Kaçanik deri në ora 11:00 kanë votuar mbi 8 për qind

Në Komunën e Kaçanikut deri në ora 11:00 kanë votuar 2829 votues, apo 8.22 për qind nga 32.647 votues sa janë total.

Artan Mezraja, kryesues i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Kaçanik, ka thënë se numri i votuesëve momentalisht është më i madh sesa në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.

“Procesi në përgjithësi ka shkuar sipas planifikimeve. Materiali është shpërndarë me kohë, hapjet e pikave të votimit janë bërë me kohë. Lista përfundimtare e Kaçanikut është 32.647 votues. Raporti i daljes deri në ora 11:00, në total kanë dalë 2829 votues, apo 8.22 për qind. Nëse krahasohet me zgjedhjet e shkurtit, vërehet se diku afërsisht 416 votues kanë dalë më shumë. Vërehet një trend i daljes më të madhe të votuesëve”, ka thënë Mezraja në KTV. 


12:44 - Muhaxheri shpreson që të shkojë mirë procesi i votimit

Kryetari i komunës së Pejës në dy mandatet e fundit dhe kandidat i serishëm i LDK-së për këtë post, Gazmend Muhaxheri, në mesditë ka votuar në qendrën e votimit në shkollën fillore “Lidhja e Prizrenit”.

“Shpresoj që procesi i votimit të shkojë qetë dhe të përfundojë ashtu siç duhet”, u shpreh Muhaxheri për KOHËN pasi votoi.

Nga Ilir Osmanaj


12:42 - Voton Lutfi Haziri, fton qytetarët që në mënyrë masive ta shprehin vullnetin për fatin e qytetit të tyre

Kandidati për kryetar të Gjilanit nga LDK-ja, Lutfi Haziri, me familjen e tij ka votuar sot në shkollën fillore “Abaz Ajeti”.

Haziri ka ftuar qytetarët që në mënyrë masive ta shprehin vullnetin për fatin e qytetit të tyre.

“Uroj që kjo ditë e bardhë të përfundojë ashtu siç ka filluar, në mënyrë të qetë e solemne. Qytetarët e Gjilanit gjithmonë kanë treguar interesim për pjesëmarrje në zgjedhje dhe apeloj që secili të dalë për ta shfrytëzuar të drejtën për të votuar edhe kësaj radhe për fatin e qytetit të tyre. Falënderoj të gjithë për interesimin e madh, përfshirë edhe bashkatdhetarët tanë dhe kjo na bën të vlerësuar”, ka thënë Haziri.


12:35 - Limaj fton qytetarët të dalin në votime

Kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj, ka votuar në shkollën fillore “Faik Konica” në Prishtinë.

Limaj ka thënë pas votimit se qytetarët e të gjitha komunave kanë një rast të mirë që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të zgjedhur kryetarin më të mirë që ata besojnë.

“Besoj që qytetarët e të gjitha komunave të Kosovës kanë një rast të mirë që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të zgjedhur kryetarin më të mirë që ata besojnë, njeriu që do të dijë dhe të mund ta drejtojë e përfaqësoj edhe vullnetin edhe dëshirat e qytetarëve nëpër komuna. Zgjedhjet lokale janë baza themelore e demokracisë, e shtetndërtimit dhe konsolidimin tonë shtetëror. Pavarësisht se kemi zgjedhje të shpeshta kjo na ndihmon në konsolidimin demokratik. Qytetarët të dalin të zgjedhin edhe përfaqësuesit lokal në asamble komunale, por edhe drejtuesit e tyre për katër vjet”, ka thënë Limaj.


12:15 - Quni: Siç thoshte presidenti historik Rugova, vishuni bukur e mirë dhe dilni votoni

Kandidati për kryetar të Prizrenit nga radhët e LDK-së, Anton Quni, ka votuar dhe u ka bërë thirrje qytetarëve të votojnë.

“Kjo ditë ka rëndësi të veçantë për të gjithë ne, sepse me votë po i japim drejtimin katërvjeçar komunës tonë. Së bashku me bashkëshortën Mirjanën dhe nanën Albinën, sapo votuam që Prizreni dhe gjithë komuna të ketë të ardhme më të mirë e më të ndritshme. Ftoj të gjithë qytetarët e komunës që ta shfrytëzojnë të drejtën e votës. Siç e thoshte, Presidenti historik Rugova, vishuni bukur e mirë dhe dilni të votoni, sepse duke përmbushur këtë obligim ne tregojmë pjekuri, aktivizëm dhe demokraci qytetare. Qoftë e bardhë dhe e mbarë kjo ditë!” – ka shkruar Quni në Facebook.


12:11 - Fadil Nura voton: Procesi zgjedhor të kalojë i qetë

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Skenderajt, Fadil Nura, u ka bërë thirrje qytetarëve të kësaj komune që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar. Nura teksa ka votuar në fshatin Qirez, po ashtu ka bërë thirrje që procesi i sotëm zgjedhor të kalojë sa më qetë.

"I ftoj të gjithë qytetarët e Komunës së Skenderaj, që të manifestojnë me vullnetin e tyre sot përmes votës dhe të vendosin për katër vjetët e ardhshëm... Skenderaj njihet si bastion i Partisë Demokratike të Kosovës, nuk njihet si komunë e nxehtë, prandaj duke qenë bastion i PDK-së do të vazhdojë, por gjithsesi i ftoj të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e PDK-së që të ruajmë qetësinë dhe të ruajmë procesin, sepse fitorja është e jona dhe nuk kemi asnjë nevojë ta prishim festën... Ky është mesazhi, të ruhet qetësia, procesi të shkojë mirë, të manifestohet vullneti i qytetarëve përmes votës", tha ai./KSP


12:10 - Në Klinë vërehet fluks i madh i qytetarëve që po presin të votojnë

Në Klinë po vërehet një fluks i madh i qytetarëve që po presin për të dhënë votën.

Nuk po lejohet xhirimi brenda në klasa ku po votohet, vetëm nga korridoret.


11:57 - Voton Haradinaj: Qytetarët e kryeqytetit të bëhen pjesë e ndryshimit

Kandidati i AAK-së për kryetar të Prishtinës, Daut Haradinaj, ka votuar në Fakultetin Filologjik.

Haradinaj ka kërkuar nga qytetarët e Prishtinës që të shfrytëzojnë të drejtën e votës dhe të bëhen pjesë e ndryshimit.

“Urime, sot është një ditë feste, procesi po shkon shumë i qetë, lus qytetarët e kryeqytetit që ta shfrytëzojnë të drejtën e votës dhe të bëhen pjesë e ndryshimit të cilin të gjithë e dëshirojnë. Falënderoj të gjithë ata që kanë dhënë kontribut që këto zgjedhje të jenë zgjedhjet në Republikën e Kosovës”, ka thënë Haradinaj pas votimit.

11:55 - Deri në ora 11 në Gjilan kanë votuar mbi 7 për qind e qytetarëve

Deri në orën 11:00 në komunën e Gjilanit kanë votuar mbi 7 mijë qytetarë. Gjatë katër orëve, prej kur janë hapur qendrat e votimit në këtë komunë, nuk janë evidentuar parregullsi gjatë procesit zgjedhor.

Kështu ka thënë për KosovaPress, kryesuesi i komisionit komunal, Ferid Shabani.

"Deri në orën 11:00 kanë votuar 7133 votues, apo shprehur në përqindje 7,06. Në zgjedhjet e kaluara me 14 shkurt përqindje e votuesve në këtë periudhë ka qenë 7,85", ka thënë ai.

Në komunën e Gjilanit kanë të drejtë vote mbi 101 mijë qytetarë, në 34 qendra votime e mbi 120 vendvotime./KSP


11:36 - Haskuka fton qytetarët ta ushtrojnë të drejtën e tyre për votë

Kandidati për kryetar të Prizrenit nga VV-ja, Mytaher Haskuka, ka ftuar qytetarët ta ushtrojnë të drejtën e tyre për votë “në këtë ditë të bukur”.

“Sot është një ditë e bukur, temperaturat janë shumë të mira prandaj i ftoj të gjithë qytetarët të dalin të votojnë, i ftoj të gjithë që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar”, ka thënë Haskuka pasi votoi.


11:25 - Totaj voton me familjen e tij: Ditë e mirë në Prizren

Kandidati i PDK-së për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, së bashku me familjen e tij kanë përfunduar procesin e votimit.

Shaqir Totaj ka votuar në shkollën e mesme "Remzi Ademaj" në Prizren. Në deklaratën e tij, ai tha se pret me padurim rezultatin e këtyre zgjedhjeve.

"E diela e 17 tetorit është ditë e rëndësishme për të ardhmen tonë të përbashkët. Sot është një ditë e mirë që qytetarët me anë të votës do të vendosin për qeverisjen e ardhshme katër vjeçare. Së bashku me bashkëshorten Flutrën e fëmijtë Elenën e Adonisin, votuam për një të ardhme më të mirë për qytetin tonë të bukur. Andaj ftoj qytetarët e komunës ta shfrytëzojnë të drejtën e votës duke treguar pjekuri e demokraci qytetare", ka deklaruar Totaj pas votimit.


11:23 - Voton edhe Osmani, bën thirrje për respektim të masave anti-COVID

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka ushtruar të drejtën e saj për të votuar në zgjedhjet lokale në vendin tonë.

Nga Fakulteti Teknik, Osmani i ftoi qytetarët që të dalin në numër sa më të madh për të votuar dhe të respektohen masat anti-COVID.

“Sot qytetarët tanë votojnë për kualitetin e jetës së tyre, votojnë për komunat e tyre, për udhëheqësin që do ta determinojë se si në katër vitet e tyre do të jetë jeta në komunat ku ata jetojnë. Prandaj i ftoj në numër sa më të madh të marrin pjesë në këtë proces zgjedhor. Qytetarët e Kosovës janë ata që e mundësojnë dhe e mbrojnë çdo proces të lirë demokratik. Shpresoj që zgjedhjet të kalojnë pa asnjë incident dhe uroj sërish të respektohen masat anti-COVID që shëndeti i qytetarëve të jetë prioritet mbi prioritet”, ka thënë Osmani.


11:22 - Në Rajonin e Pejës deri në ora 11:00 nuk është raportuar ndonjë incident në vendvotime

Ilir Osmanaj

Procesi i votimit për zgjedhjet lokale të 17 tetorit në komunat e rajonit të Pejës, ka nisur me kohë në gjitha vendvotimet, përveç në një vendvotim në Istog, i cili është hapur 15 minuta me vonesë.

Veton Mujaj, drejtori i OJQ “Syri i Vizionit” në Pejë, e cila është duke monitoruar procesin e votimit në komunat e rajonit të Pejës, tha për KOHËN se deri në orën 11.00 nuk ka pas ndonjë parregullsi ne vendvotimet, të cilat i mbulon kjo organizatë si shoqëri civile.

Pa dhënë ndonjë përqindje, sipas tij deri tash niveli i daljes në votim është e ulët. Ndërsa në katër orët e para të votimit, pre orës 7.00 kur janë hapur vendvotimet, sipas zëdhënësit të policisë rajonale të Pejës, Driton Rugova, nuk është raportuar asnjë incident.

“Deri tash nuk është raportuar asnjë incident. Në të gjitha qendrat e vendvotimit në Pejë, Istog, Klinë, Deçan dhe Junik janë të vendosur zyrtarët tanë dhe po kujdesen për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor”, tha Rugova.


11:20 - Szunyog: Ditë e rëndësishme për Kosovën, ftoj qytetarët të votojnë

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka vizituar qendrën e votimit në shkollën “Ismail Qemaili” në Prishtinë.

Ai ka pyetur për procesin që ka shkuar në këtë qendër, për përgatitjet e po ashtu respektimin e masave antiCOVID.

Pas vëzhgimit Szunyog i është adresuar mediave. Ai ka treguar se misioni mbikëqyrës i BE-së do ta përgatisë shpejt raportin preliminar që do të prezantohet në konferencë për media të martën në mëngjes.

“Kam vizituar këtë pikë votimi në Prishtinë, planifikoj të vizitojë edhe pika tjera gjatë ditës, në qytete tjera. Dua të them se është ditë e rëndësishme për demokracinë e Kosovës, e rëndësishme për Kosovën. Dua t’u bëjë thirrje qytetarëve që të jenë pjesë aktive në zgjedhjet lokale. Mendoj se është një ditë ku gjithë qytetarët mund ta shprehin opinionin e tyre e të marrin në mënyrë aktive pjesë në të ardhmen e Kosovës, në formimin e të ardhmes së Kosovës”, ka thënë Szunyog.

Ai ka bërë thirrje që të respektohen masat anti-COVID.

“Është me rëndësi që këto zgjedhje të mbahen në mënyrë të sigurtë. Jam i impresionuar me organizimin e mirë dhe të nivelit të lartë në këtë pikë votimi. Duket shumë profesionale dhe njerëzit duket se po dinë se çfarë duan. Dua të përmend se misioni mbikëqyrës i BE-së do të përgatit shumë shpejt raportin preliminar. Do të bëhet publik të martën në mëngjes. Do të prezantohet nga Lukas Mandl, shefi i misionit mbikëqyrës, që është edhe anëtar i Parlamentit Evropian. Do të prezantohet në konferencë për media”, ka thënë Szunyog.


11:17 - Rama pas votimit: Zgjidhni të ardhmen e kryeqytetit tonë të dashur

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, ka votuar në Fakultetin Juridik.

Rama pas votimit ka kërkuar nga qytetarët e Prishtinës që të dalin të votojnë dhe të vendosin për të ardhmen e kryeqytetit.

“Ka qenë një kampanjë fenomenale, kampanjë fer ku kemi pasur të gjithë mundësinë për të parë dhe të dëgjuar. Jam më i lumtur që jetoj në një shtet demokratik ku kemi të drejtë të gjithë të bëjmë votën tonë, të marrim përgjegjësinë, të marrim vendimin për të ardhmen e qytetit tonë, për të ardhmen e kryeqytetit. I ftoj të gjithë që të dalin të votojnë e ta zgjedhin të ardhmen e kryeqytetit tonë të dashur. Ju dua të gjithëve”, ka thënë Rama.

10:40 - Bekim Jashari me familje para votimit bëjnë homazhe te varrezat në Prekaz

Ditën e zgjedhjeve lokale familja Jashari e nisi me homazhe në Kompleksin memorial "Adem Jashari" në Prekaz, për të vazhduar më pas drejt qendrës së votimit në shkollën "Ilir Lushtaku" në Prekaz të Poshtëm.

Kryetari i Komunës së Skenderajt, njëherësh kandidat i pavarur edhe për nja mandat në krye të kësaj komune, Bekim Jashari, ka thënë se po i nderojnë ata të cilët janë meritor pse sot e gëzojnë lirinë.

"Ne si familje Jashari, si lagje Jashari të gjithë bashkërisht bëmë homazhe para se të shkojmë tek kutitë e votimit. Arsyeja pse ne sot bënë homazhe është sepse falë këtyre dëshmorëve, falë gjakut të dëshmorëve ne sot jetojmë të lirë, ne sot punojmë, ne sot krenohemi që e kemi shtetin tonë, ne sot duhet ta nderojmë e ta respektojmë të kaluarën tonë që me ju tregu edhe gjeneratave pas që vijnë që si për festa, si për ditë të zgjedhjeve, çfarëdo dite që është për neve ne duhet ta nderojmë të kaluarën tonë sepse gjithçka që ne sot bëjmë edhe ajrin që thithim lirshëm falë këtyre dëshmorëve", ka thënë Jashari.


11:10 - Gjini: Sot është një ditë e rëndësishme për Gjakovën

Kryetari i AAK-së për kryetar të Gjakovës, Ardian Gjini, u ka bërë thirrje qytetarëve të dalin të votojnë.

Ai ka thënë se sot është ditë e rëndësishme për Gjakovën.

“Sot është një ditë e rëndësishme për Gjakovën. Në këtë ditë të mirë, iu bëjë thirrje të gjithëve të dalin e të votojnë. E presim votën e qytetarëve, e presim verdiktin e tyre”, ka thënë Gjini.


10:39 - Mehmeti fton qytetarët të dalin masovikisht për të votuar

Kandidati i AKR-së për kryetar të Prishtinës, Gëzim Mehmeti, u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin masovikisht në zgjedhje.

“Sot e shfrytëzova të drejtën legjitime për të votuar. I lus gjithë qytetarët të dalin masovikisht e të votojnë. Të votojnë e ta kën një zgjedhje që ësahtë zëri i tyre, fuqia e tyre, që t’i zgjidhin problemet e qytetit. Le të votojnë atë që mendojnë se është i miri. Vota është e shenjtë e demokratike. Prishtina meriton gëzim, Prishtina gëzuar. Shpresojmë të jetë një ditë e suksesshme. I lus qytetarët e Prishtinës të dalin msovikisht e ta shfrytëzojnë të drejtën demokratike”, ka thënë Mehmeti.


10:37 - Mandl mesazh qytetarëve: Votoni, kontribuoni për demokracinë

Shefi i misionit vëzhgues të BE-së për zgjedhjet në Kosovë, Lukas Mandl, ka thënë se mënyra më e mirë për të kontribuuar në demokracinë është të ushtrohet e drejta e votës. Ai i ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin të votojnë.

“Jam i lumtur që BE-ja ka mundur të kontribuojë në këto zgjedhje me më tepër se 100 mbikëqyrës në gjithë Kosovën, përfshirë disa anëtarë të Parlamentit Evropian e shumë ekspertë që kontribuuojnë për demokraci. Ka mënyra të ndryshme për të kontribuuar për demokraci, e një nga kryesoret është të votohet. Inkurajojë të gjithë votuesit të dalin për të votuar. Nëse jeni duke shikuar TV, merrni gjërat dhe dilni të votoni, pasi kështu kontribuon në demokraci, e shfrytëzon të drejtën e votës. Deri tash, bazuar në informatat që kemi çdo gjë po shkon mirë. Jemi në mesin e ditës së zgjedhjeve, po marrim informata çdo minutë. Mesazhi im është që zgjedhjet të jenë të lira, pa interferencë a pa presion ndaj individëve, dhe votuesit të dalin”, ka thënë Mandl, që ka falënderuar pos vëzhguesit e BE-së edhe komisionerët dhe gjithë ata të përfshirë në procesin e zgjedhjeve.

Ai ka mbikëqyrur qendrën e votimit në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë.


10:18 - Erden Atiq voton në Mitrovicën e Veriut

Kandidati për kryetar të Mitrovicës së Veriut nga Iniciativa Qytetare “Mitrovica”, Erden Atiq, ka ushtruar të drejtën për të votuar në këtë komunë.

“I ftoj qytetarët e komunës veriore që të dalin sa më shumë të votojnë sot dhe të shprehin vullnetin e tyre demokratik. Shpresoj që në këto zgjedhje ka me pas ndryshime substanciale. I falënderoj të gjithë ata të cilët kanë shprehur mendimin, kanë shprehur votën me votu për ndryshim. Deri tash nuk ka pasur ndonjë parregullësi”, ka thënë Atiq.

Atiq është kandidati i përbashkët i të gjitha partive shqiptare në Mitrovicën e Veriut. 

Image

10:15 - Kurti inkurajon qytetarët të dalin të votojnë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka votuar në qendrën e votimit në Fakultetin Juridik në Prishtinë.

Pas ushtrimit të drejtës së votimit, Kurti ka inkurajuar qytetarët që të dalin të votojnë sa më masivisht. Ndërsa ai ka thënë se Qeveria do të punojë në fuqizimin e komunave.

“Si qytetar i Republikës dhe si banor i kryeqytetit, porsa ushtrova të drejtën për të votuar në këto zgjedhje të lira e demokratike. Qytetarët e Republikës së Kosovës anembanë komunave të shtetit tonë, sot vendosin se kush do të vendosë. Përcaktohen kush do të jenë udhëheqjet e përfaqësuesit e tyre. I inkurajoj gjithë qytetarët, pa dallim prejardhje, përkatësie apo pasurie, që të shfrytëzojnë këtë moment barazie, t’i përdorin mundësitë e barabarta që i kanë sot. Si kryeministër i Republikës së Kosovës, unë bashkë me Qeverinë, do të punojë e bashkëpunojë shumë ngushtë në fuqizimin e komunave. Katër vjet të mbara e të mira i presin qytetarët e Republikës së Kosovës, anekënd Kosovës në të gjitha komunat ku jetojnë e punojnë”, ka thënë Kurti.


10:10 - Voton Abdixhiku: Sot është festë

Kryetari Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka votuar në shkollën fillore “Faik Konica”, në Prishtinë.

Abdixhiku ka thënë pas votimit se sot është festë sepse po bëhet vendimmarrja prej qytetarëve të Kosovës.

Ai ka thënë se sot është ditë feste.

“Ushtruam të drejtën tonë demokratike, për të votuar. Sot është festë sepse bëhet vendimmarrja prej qytetarëve tanë dhe s’ka gjë më të mirë që qytetarët të vendosin. Uroj që kjo ditë të kaloj sa më mirë dhe në të njëjtën kohë duhet t’i falënderoj të gjithë të angazhuarit”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka uruar në veçanti 41,000 votuesit që sot votojnë për herë të parë.


09:55 - Krasniqi: Zgjedhjet lokale janë për qytetarët, jo për politikanët

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka votuar në shkollën fillore “Hasan Prishtina” në Prishtinë.

Krasniqi ka thënë pas votimit se zgjedhjet lokale janë para së gjithash për qytetarët dhe jo për politikanët.

“Shpresoj që të gjithë qytetarët anë e mbanë Kosovës do të ushtrojnë të drejtën e tyre për të zgjedhur kandidatin që ata i besojnë më së shumti. Zgjedhjet lokale para së gjithash janë zgjedhje për qytetarët dhe jo për politikanët, andaj pjesëmarrja sa më e madhe është e rëndësishme për të dhënë verdiktin se kush duhet të na udhëheq në komunat tona në këto katër vitet e ardhshme”, ka thënë Krasniqi pas votimit.


09:50 - Monitoruesi i BE-së: Deri tash çdo gjë po shkon mirë, duhet të shohim pamjen totale në fund të ditës

Një nga monitoruesit e misionit të BE-së në Lagjen e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës, ka thënë se deri tash nga ajo çfarë kanë parë çdo gjë po shkon mirë.

Porse duhet shihet pamja e plotë në fund të ditës dhe nga mbikëqyrja në gjithë Kosovën.

“Jemi këtu me misionin monitorues të BE-së, Parlamentit Evropian. Deri tash kemi vizituar disa pika votimi. Kemi bërë një mbikëqyrje këtu brenda. Deri tash çdo gjë po shkon mirë, por duhet të shohim në fund të ditës, në tërësi se si ka shkuar procesi, nga mbikëqyrja në gjithë shtetin”, ka thënë monitoruesi për KTV-në.


09:45 - Kusari-Lila pas votimit: Shpresoj të kemi dalje masive në zgjedhje

Kandidatja e VV-së për kryetare të Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ka uruar që të ketë dalje masive në zgjedhje.

Kusari – Lila, pas votimit ka thënë se zgjedhjet lokale kanë rëndësi të veçantë.

“Moti është shume i mire, nuk ka arsyetime mos me dale. Shpresoj të kemi rezultat pozitiv e dalje masive në zgjedhje. Zgjedhjet lokale kanë rendësi të veçantë se me to vijnë ndryshimet”, ka thënë Kusari-Lila.


09:38 - Voton Ismaili, kërkon nga qytetarët të dalin në votime

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka hedhur votën e tij në shkollën fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë.

Pas votimit, Ismaili ka kërkuar nga qytetarët e Prishtinës që të dalin në votime, dhe me votën e tyre të vendosin se kush do të jetë kryetar i komunës.

Ai ka thënë se mezi pret që ta shohë rezultatin, ndërkohë që ka falënderuar të gjithë për mbështetjen.

“Është nder dhe privilegj me qenë një ndër kandidatët për kryetar të komunës në Prishtinë, falënderoj qytetarët që për këta 5 muaj më ofruan mbështetje dhe dashni. Mezi e pres rezultatin e natës së sontme. E konsideroj tepër të rëndësishme këtë garë prandaj ftoj të gjithë që të dalin dhe me votën e tyre ta zgjedhin kryetarin e komunës. Kjo është datë shumë me rëndësi prandaj ftoj të gjithë që të dalin dhe me votën e tyre të vendosin se kush do të jetë kryetar i komunës”, ka thënë Ismaili.


09:22 - BE-ja monitoron procesin zgjedhor në Lagjen e Boshnjakëve në veri

Vëzhguesit e misionit të Bashkimit Evropian janë duke monitoruar procesin e votimit në një qendër votimi në Lagjen e Boshnjakëve.

Në këtë lagje, një pjesë e madhe e votuesve janë shqiptarë.

BE-ja ka angazhuar mbi 100 vëzhgues në tërë Kosovën për zgjedhjet lokale.

Image
Foto: Mehmet Krasniqi/KOHA

09:15 - Vitia: Sot është një ditë e rëndësishme

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje, Arben Vitia, ka thënë se sot është një ditë shumë e rëndësishme jo vetëm për demokracinë, por edhe për jetët e qytetarëve.

Vitia e mbajti fjalimin teksa ushtroi të drejtën për të votuar në shkollën “Ali Sokoli” në kryeqytet.  

“Në këtë ditë të bukur vjeshte me mot të mira, sapo ushtrova të drejtën e votës. Pas një fushate të gjatë dhe fer nga kandidatët, është një ditë shumë e rëndësishme jo vetëm për demokracinë, por edhe për jetët e qytetarëve. Sot vendosin qytetarët. Ftoj qytetarët që të dalin sa më masivisht në këto zgjedhje. Falënderoj të gjithë ata që i organizojnë këto zgjedhje kaq të mira”, ka thënë Vitia.


09: 05 - Voton Haradinaj, kërkon nga qytetarët që të vendosin për jetën e tyre

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka votuar në Shkollën e Mesme të Mjekësisë “Ali Sokoli” në Prishtinë.

Haradinaj ka kërkuar me këtë rast nga qytetarët e Kosovës që të dalin të votojnë dhe të vendosin kështu për jetën e tyre.

“Qeverisja komunale është e rëndësishme për jetën tuaj, jetën e qytertarvë. Ju ftoj të vendosni për vete, votoni, mos e leni votën në shtëpi. Na priftë e mbara sot”, ka thënë Haradinaj.


08:36 - Rreth 100 persona kanë votuar në qendrën më të madhe të votimit në Malishevë

Në qendrën më të madhe të votimit në Malishevë, gjimnazin “Hamdi Berisha”, deri më tani kanë votuar rreth 100 persona.

Në këtë qendër votimi kanë të drejtë vote 3,600 persona.

Ndërkaq, në të gjithë Malishevën gjithsej të drejtë vote kanë 54,000 persona.


08:19 - Rakiq: Presim fitore bindëse

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, pas votimit në Shkollën Teknike në veri të Mitrovicës u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin e të votojnë në mënyrë masive.

Ai ka thënë se pret një fitore bindëse.

“Sipas informatave që kam, qendrat janë hapur me kohë. Votimi po shkon mirë. Siç mund të shihni edhe vet, qytetarët në numër masiv kanë dalë në pikat e votimit, të japin votën e tij, të përdorin të drejtën e votimit, e të përkrahin kandidatët e tyre për kryetarë e asamble. I bëjë thirrje të gjithë qytetarëve të përdorin të drejtën e votës. Të përdorin të drejtën e të përkrahin kandidatët e tyre. Natyrisht duke respektuar masat epidemiologjike. Është heshtje zgjedhore. Por pres fitore bindëse”, ka thënë Rakiq.

Milan Radojeviq kandidati për kryetar nga radhët e Listës Serbe për Mitrovicën e Veriut, ka thënë se shpreson që procesi të shkojë mirë dhe qytetarët të votojnë në mënyrë sa më masive.

Kryesuesi i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve për Mitrovicë të Veriut, Sllobodan Dimitrojeviq ka thënë se nuk ka pas probleme dhe se gjithçka ka shkuar mirë me hapjen e qendrave.

“Po të gjitha vend votimet janë hapur me kohë, 7 qendra dhe 23 vend votime janë hapur në ora 7. Nuk kemi pas asnjë problem dhe votim ka filluar pa probleme. Natyrisht(votohet) me dokumente të vlefshme të Kosovës si dhe ma ato të cilave u ka skaduar afati para 6 muajve, duke pasur parasysh që ka pasur probleme teknike me dhënien e dokumenteve të rij, për këtë është marrë vendimi që çdo dokument të cilit i cili është me skadencë afati prej 6 muajve me të cilin mund të identifikoheni letërnjoftimi, leje e vozitjes, pasaporta mundeni me votuesve, nëse jeni në listën e votuesve natyrisht”, tregoi ai.


08:07 - Fluks i madh i serbëve për të votuar, Lista Serbe shkon e organizuar

Përfaqësuesit e Listës Serbe kanë shkuar në mënyrë të organizuar për të shfrytëzuar të drejtën e tyre për votë në zgjedhjet lokale në Kosovë.

Goran Rakiq si lider i kësaj partie votoi i pari në shkollën teknike në Mitrovicën e Veriut. Pas tij, votoi edhe kandidati për kryetar të komunës, Millan Radojeviq.

Në këtë qendër votimi shihej fluks i madh edhe i qytetarëve serbë, ku masat anti-COVID nuk respektoheshin.

Image

07:30 - Hapen të gjitha qendrat e votimit në Mitrovicë të Veriut

Në komunën e Mitrovicës së Veriut janë hapur të gjitha qendrat e votimit dhe tashmë ka nisur lëvizja e qytetarëve për të votuar.

Në këtë komunë kanë të drejtë vote mbi 17,000 qytetarë, në 7 qendra të votimit, me 23 vendvotime.

Komuna e Mitrovicës Veriore është në mesin e katër komunave veriore ku përfshihen edhe Leposaviqi, Zubin Potoku e Zveçani.

Në të katër këto qendra janë 44 qendra të votimit me 74 vendvotime. Ndërkohë, në katër këto komuna kanë të drejtë vote mbi 43 mijë qytetarë.

Image

07:59 - Në Gjilan votimi ka nisur me kohë

Në qendrën më të madhe të votimit në Gjilan, atë “Thimi Mitko”, procesi i votimit ka filluar me kohë, ka njoftuar drejtoresha e kësaj qendre Sevdije Sadiku.

“Është qendra më e madhe në komunë, diku kemi rreth 20 vendvotime, afërsisht 16 mijë votues më të drejtë vote janë këtu. Çdo gjë ka filluar me kohë, materiali ishte i gatshëm, ka filluar në ora 7, ndërsa kishte votues para orës 7 që po prisnin. Shpresojë që çdo gjë të shkojë mirë”, ka thënë Sadiku në KTV.


07:10 - Voton Radoniqi, fton qytetarët të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese

Ka nisur hapja e qendrave të votimit dhe vendvotimeve në të gjitha komunat e Kosovës.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka hedhur votën e tij në shkollën fillore “Lidhja e Prizrenit” në Pejë.

Pas votimit, Radoniqi ka ftuar qytetarët e Kosovës që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar.

Ai po ashtu u ka bërë thirrje partive politike dhe këshillave të vendvotimeve që të kontribuojnë në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

“Meqenëse është fillimi i ditës qendra e votimit është hapur në ora 7:00. Ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që të shfrytëzojnë këtë të drejtë votuese. Partitë politike dhe këshillat e vendvotimeve të kontribuojnë në mbarëvajtje të procesit zgjedhor”, ka thënë Radoniqi.

Ai ka thënë se KQZ-ja do të arrijë që t’i japë rezultatet preliminare deri në orët e vona të natës.

{gallery}