Arbëri

Edhe pas kontrollit kushtetues, nuk gjejnë zbatim 5 vendime gjyqësore

Descriptive Text

Një numër vendimesh të Gjykatës Kushtetuese nuk kanë gjetur zbatim prej vitesh. Për këtë, Kushtetuesja e ka informuar Kryeprokurorin, por organi i akuzës ka refuzuar të tregojë arsyet për mosmarrje masash. E, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese thotë se përgjegjësia për zbatimin e të tilla vendimeve bie mbi gjykatat e rregullta, meqë Kushtetuesja me vendimet e saj vetëm ka shqyrtuar kushtetutshmërinë e procedurave para atyre gjykatave

Gjykata Kushtetuese ia adresoi javën e shkuar një shkresë Prokurorisë dhe menjëherë pas shtetet e Quintit kërkuan nga Qeveria që të veprojë për zbatimin e aktgjykimit që lidhet me pronat e Manastirit të Deçanit.

Por, konsiderohet e gabuar adresa ku është vënë presioni për zbatim të këtij vendimi.

Enver Hasani, ish-kryetar i Kushtetueses, thotë se vendimet e kësaj gjykate nuk zbatohen dhunshëm.

“Gjykata Kushtetuese nuk është kompetente për ekzekutimin e vendimeve të saj, sikundër që nuk mund të ketë përgjegjësi penale për ekzekutim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese te ne”, ka thënë Hasani. “Në Shqipëri, në Kroaci, në Rusi, në disa vende ekziston mekanizmi i dhunshëm i implementimit, mirëpo ajo te ne është ashtu siç është”.

Të premten e shkuar Kushtetuesja e informoi Kryeprokurorin e Shtetit për moszbatimin e Aktgjykimit që lidhet me pronat e Manastirit të Deçanit, e edhe për një Aktgjykim tjetër. Kryeprokurori është njoftuar edhe për moszbatimin të tri aktgjykimeve të mëhershme.

“Më 24 shtator 2021, përmes aktvendimeve të publikuara për Mospërmbarim, Kryeprokurori i Shtetit është njoftuar për moszbatimin e Aktgjykimeve të Gjykatës: (i) KI56/09, parashtrues: Fadil Hoxha dhe 59 të tjerë, të 22 shtatorit 2010; dhe (ii) KI132/15, parashtrues: Manastiri i Deçanit, të 19 majit 2015”, ka konfirmuar Kushtetuesja, në një përgjigje të shkruar. “Gjatë viteve 2014, 2015 dhe 2019, Kryeprokurori i Shtetit është njoftuar edhe për moszbatimin e Aktgjykimeve të Gjykatës: (i) KI08/09, parashtrues: Sindikata e Pavarur e Punonjësve të Fabrikës së Çelikut, IMK, në Ferizaj, Aktgjykim i 17 dhjetorit 2010; (ii) KI112/12, parashtrues: Adem Meta, Aktgjykim i 5 korrikut 2013; dhe (iii) KI187/13, parashtruese: N. Jovanoviq, Aktgjykim i 1 prillit 2014”.

Zyra e Kryeprokurorit nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS në lidhje me masat potenciale, pas njoftimeve të Kushtetueses. Informata nuk i ka ofruar as gjykatës.

“Përtej konstatimit se një Aktgjykim nuk është zbatuar dhe njoftimit përkatës të Prokurorit të Shtetit, Gjykata nuk ka kompetencë të mëtejmë për monitorimin e zbatimit të Aktgjykimeve të saj. Gjykata nuk ka pranuar ndonjë informatë përkitazi me njoftimet e lartcekura”, thuhet në një përgjigje të Kushtetueses.

Ish-kryetari i kësaj gjykate thotë se çështja e ekzekutimit të vendimeve të Kushtetueses duhet ndjekur një rrugë tjetër. Sipas tij, për to duhet aktivizuar gjykatat e rregullta.

“E drejta e pronës që është shqyrtuar nga ana e Manastirit, është shqyrtuar në gjykata të rregullta. Gjykata Kushtetuese vetëm ka thënë që nuk është përlyer me shkelje kushtetuese procedura para atyre gjykatave, që do të thotë vendimi që është objekt ekzekutimi, është objekt i gjykatave të rregullta”, thotë Hasani. “Ato duhet t’i marrin veprimet në terren për ekzekutimin e të drejtës së fituar në gjyqësorin e rregullt të Republikës së Kosovës”.

Vendimet e Kushtetueses që lidhen me çështje politike janë respektuar deri tash nga institucionet, që për pasojë kanë pasur edhe rënie qeverish e presidentësh. Megjithëkëtë, deputetët nuk i janë bindur konstatimit të kësaj gjykate se ata nuk mund t’i bojkotojnë seancat e Kuvendit.