Arbëri

Kurti lavde Vitisë “për kontrollimin e shpejtë të variantit Delta”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke e lavdëruar ministrin e dorëhequr të Shëndetësisë, Arben Vitia, për përballjen me pandeminë, ka thënë se për Kosovën ka qenë fat që “në postin më vendimtar e në kohën e duhur ta kishim njeriun e duhur”.

Një ditë pas dorëheqjes për të garuar për të parin e Prishtinës në zgjedhjet lokale të tetorit, Vitia është lavdëruar nga shefi i tij në Lëvizjen Vetëvendosje duke e cilësuar si “njeriu më i gjetur për ta menaxhuar përballjen e krizës”.

“Asnjëherë ky njeri i yni nuk jep informacion, nuk bën vlerësim dhe nuk merr vendim pa qenë i bindur në saktësinë e të dhënave dhe shterimin maksimal të burimeve. Rrallë kam ndeshur një person me atë bindje aq të thellë për përgjegjësinë publike të posteve qeveritare. Ndjenja e tij e lartë e përgjegjësisë e ktheu në bartësin e shpresës përballë krizës shëndetësore. Aftësia e tij për të ndjekur statistikat dhe raportet e përbotshme mbi përhapjen e forcën e virusit, na dëshmuan se kishim fatin që në postin më vendimtar e në kohën e duhur të kishim njeriun e duhur”, ka thënë Kurti në një shkrim në Facebook.

Sipas Kurtit, arritjet e Vitisë si ministër i Shëndetësisë “janë po aq befasuese sa janë edhe të pamohueshme”.

Kurti ia ka lënë meritat Vitisë se i ka “vënë nën kontroll tri variantet kryesore të virusit Corona” si dhe për atë Delta, edhe pse në këtë valë Kosova u përball me shifra alarmante të vdekjeve e të rasteve të reja me COVID-19 për disa javë. Në muajt gusht e shtator Kosova përjetoi ditët më të rënda me vdekje nga COVID-19. Megjithatë, sipas Kurtit, Vitia me masat e hartuara “në bazë të shkencës më të fundit në fushën e epidemiologjisë, kanë arritur të vënë nën kontroll valën e këtij varianti më shpejt sesa gati çdo vend i botës që është përballur me këtë variant”.

Arritjen “më mbresëlënëse” të Vitisë, Kurti e ka cilësuar sigurimin e vaksinave dhe administrimin e tyre.

“Besoj me forcë se ne do të kemi rastin gjithnjë e më shpesh t’u ofrojmë qytetarëve ministra që e ringjallin besimin tek institucionet e Republikës. Rreziku i shëndetit publik, trupor e mendor, nuk është vetëm pandemia me variantet e saj, por mosbesimi i qytetarëve tek institucionet. Prandaj, Arben Vitia ishte ilaçi i duhur, jo vetëm kundër pandemisë së paparë, por edhe kundër sëmundjes së rëndë, mosbesimit ndaj institucioneve të qeverisjes. Të falënderoj nga zemra Beni, për ndryshimet që ke sjellur me punën, angazhimin dhe kontributin tënd, për sukseset dhe të arriturat që sot i gëzojnë të gjithë”, ka përfunduar ai.

Arben Vitia është kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.