Arbëri

Bislimi: Marrëveshja për targat s’e rrezikon reciprocitetin

Descriptive Text

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se marrëveshja për targat, e arritur të enjten në mes të Kosovës dhe Serbisë, nuk e rrezikon në asnjë pikë reciprocitetin.

Kosova e Serbia arritën sot marrëveshje për çështjen e targave. Sipas marrëveshjes së arritur, forcat e njësisë speciale të Policisë së Kosovës të vendosura në Jarinjë e Bërnjak, do të largohen njëkohësisht me bllokadat në rrugë të vendosura nga serbët që kundërshtuan reciprocitetin për targat, ndërsa aty do të vendoset KFOR-i. Elementet shtetërore në targat e veturave do të mbulohen me letra ngjitëse, ndërsa do të formohet një grup punues për të gjetur një zgjidhje të përhershme.

Në një intervistë ekskluzive për KTV-në, Bislimi ka dhenë detaje për takimet në Bruksel. Ai ka bërë të ditur se s’ka pasur asnjë takim trilateral në mes të Kosovës, Bashkimit Evropian dhe Serbsë.

Pikësynim i marrëveshjes, sipas tij, ka qenë që fillimisht të ulen tensionet.

“Nga ana jonë ka qenë e rëndësishme që krahas deeskalimit të mos ketë zmbrapsje nga principi i reciprocitetit që e kemi filluar me vendimin e 20 shtatorit”, ka thënë ai.

Këtë marrëveshje, Bislimi e ka cilësuar të lindur nga nevoja. Sipas tij, ajo dallon nga të tjerat, sepse ato janë përcjellë në “dinamikë të rregullt, por që ishin të dëmshme e të paimplementueshme”.

Ai ka dalluar marrëveshjen e re duke thënë se kjo mund të testohet shumë shpejt marrëveshja se sa mund të jetë valide.

“Reciprociteti s’rrezikohet në asnjë moment. Deri të hënën ne vazhdojmë me targat e përkohshme. Nga e hëna fillon kalimi nga ndryshimi i targave në vendosjen e afisheve që e mbulojnë elementin e shtetësisë. Nesër grupi nga Ministria e Punëve të Brendshme do të ketë takime virtuale me zyrën e Z. Lajçak për ta detajuar operacionalizimin e kësaj mase, për të treguar se si do të duken stickersat, çka mbulohet saktësisht, a duhet të ketë kosto për implementimin, çfarë sanksionesh duhet të ketë në rast se hasen persona të cilët afishet e vendosura në kufi pastaj i kanë larguar nga veturat e tyre, pastaj do të diskutohen detajet e operacionalizimit”, ka shtuar ai.

Bislimi më tej ka bërë të ditur se asnjë targë KM nuk do të konfiskohet në Kosovë në veri të vendit për periudhën transitore deri në marrëveshjen finale.

“Marrëveshja thotë secili shtet do t’i mbulojë me afishe targat e nxjerra nga shteti tjetër. Çdo targë që nxirret në Serbi do të trajtohet si e shtetit serb që nuk vlen në Kosovë. Nëse dikush ka nxjerrë tabelë me KM, në Kikindë, do të mbulohet me stikers për 6 muaj dhe do të konsiderohet e Serbisë. S’njihet si targë e ndonjë qyteti të Kosovës. Tash është mirëkuptim edhe nga pala e zyrës së Lajçakut që targat që s’kanë qarkulluar më parë në qytetet e caktuara të Kosovës s’do të qarkullojnë edhe tutje, por kërkesa ka qenë që të paktën për këtë periudhë transitore të mos konfiskohen tabelat në ato qytete ku qarkullojnë. S’ka në Prizren për shembull, por ka në Leposaviq. Ka qenë kërkesa që këto gjashtë muaj të mos konfiskohen këto tabela që krahas kalimit në sistemin permanent, të mundësohet tranzicioni i tyre drejt targave të rregullta. Ka qenë e paraparë edhe më herët, por që pala kosovare s’ka arritur për shkak të obstruksionit nga ana e Serbisë të bindë qytetarët që t’i konvertojnë tabelat në RKS. Me kalimin në tabela me standarde evropiane, që është qëllimi i grupit punues që të gjejë zgjidhjen e përhershme, e bën të pamundur përdorimin e mëtejmë të targave të lëshuara nga Serbia me denominime të qyteteve të Kosovës”, ka deklaruar më tej Bislimi.

Bislimi e ka quajtur të parëndësishëm renditjen e fjalëve në kuadër të marrëveshjes së publikuar. Sipas tij, përmbajtja është që para tërheqjes së Policisë dhe barrikadave nga Jarinja e Bërnjaku, të vendoset KFOR-i, e më pas të nisë zhvendosja.

Zëvendëskryeministri Bislimi foli edhe për një rrethanë, e cila marrëveshjen e arritur do ta bënte jovalide.

“Në atë moment që ne konkludojmë që pala serbe i ka bishtëru marrëveshjes, qoftë me respektim të afateve për implementim të tyre, qoftë me deformim në implementim, marrëveshja konsiderohet si jovalide dhe pala serbe do të kualifikohet si pala bllokuese e dialogut. Kjo do të shërbejë si mekanizëm I sigurisë.