Arbëri

VV: Deklarata e Bislimit u keqkuptua qëllimshëm, shteti i Kosovës mbetet në pikat kufitare

Arlind Manxhuka, zëdhënës i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se deklarata e zv.kryeministrit Besnik Bislimi për draft-marrëveshjen e arritur dje në Bruksel për targat e veturave është keqkuptuar.

Sipas një postimi të tij në Facebook, prania e shtetit në pikat kufitare me Serbinë do të mbetet.

“Tri keqkuptime të qëllimshme nga deklarata e zv.kryeministrit Besnik Bislimi: 1. Në pikat kufitare do të jetë Policia e Kosovës, pra shteti i Kosovës, vetëm Njësia Speciale zëvendësohet me KFOR; 2. Parimi i reciprocitetit mbetet në fuqi, siç bëhet me targat e Kosovës do të bëhet edhe me ato të Serbisë; 3. Targat KM (akronimi serbisht për Komunën e Mitrovicës) nuk përbëjnë përjashtim, ato janë dhe mbeten ilegale për shtetin e Kosovës”, ka shkruar Manxhuka.

Pas një postimi të Bislimit në Facebook, pati reagime nga disa analistë e parti se me draft-marrëveshjen e djeshme “është hequr dorë nga Republika dhe simbolet e saj”.

Sipas draft-marrëveshjes, që pala kosovare e ka pranuar, Njësia Speciale e Kosovës do të zëvendësohet nga KFOR-i për dy javët e ardhshme, barrikadat e protestuesve serbë do të hiqen, ndërsa reciprociteti do të vlejë, në kuptimin që as veturave nga Kosova e as atyre nga Serbia nuk do të duhet t’u ndërrohen targat, por vetëm t’u mbulohen simbolet shtetërore me një letër ngjitëse.