Arbëri

Krasniqi: Kurtit i kërkova të koordinohet me SHBA-në, BE-në e KFOR-in për veriun

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka bërë të ditur se gjatë takimit sot me kryeministri Kurti, ka kërkuar nga ai që të marrë masa për zbatimin e ligjshmërisë, garantimin e sigurisë së Policëve si dhe të gjithë qytetarëve të komunave veriore.

Krasniqi ka shkruar në Facebook se ka kërkuar nga ai po ashtu, që të koordinohet me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-në, BE-në dhe KFOR-in.

“Nga kryeministri Kurti u informuam për gjendjen aktuale në veri, si dhe rrjedhën e veprimeve të deritanishme, në zbatimin e vendimit për reciprocitet me targa. Kërkova nga Kryeministri që të marrë masa për zbatimin e ligjshmërisë, garantimin e sigurisë së Policëve dhe zyrtarëve tjerë të Republikës së Kosovës si dhe të gjithë qytetarëve të komunave veriore pa dallim. Njëkohësisht, përballë kësaj situate dhe për menaxhimin efikas të saj, kërkova që të ketë koordinim me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-në, BE-në dhe KFOR-in”, ka shkruar Krasniqi.

Sipas tij, zbatimi i ligjshmërisë në tërë territorin e Republikës së Kosovës, është obligim kushtetues. gjithëve.

Kryeministri Kurti sot ka pritur në takim kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për të diskutuar lidhur me situatën në veri dhe hapat e mëtutjeshëm.