Arbëri

Haradinaj: Delegatëve të 2 Korrikut do t’u njihet statusi i deputetit

Kandidati për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj përmes një postimi në Facebook ka thënë se delegatëve të 2 Korrikut do t’u njihet statusi i deputetit dhe të gjitha privilegjet që nënkupton ky status.

Ai këtë e ka thënë me rastin e 27 vjetorit të Deklaratës së 2 Korrikut, që sipas tij ishte hapi i parë formal drejt pavarësimit të Kosovës, transmeton Koha.net.

“Ata janë delegatët e "2 Korrikut të Pavarësisë". Sot është përvjetori i Deklaratës së 2 Korrikut, me të cilën u bë edhe hapi i parë formal drejt pavarësimit të Kosovë. 111 delegatë të Kuvendit të Kosovës, në kushte shtetrrethimi, patën guximin ta vendosin gurin e parë në themelin e një shteti që ishte nisur rrugës së pavarësisë”, ka shkruar Haradinaj.

Më tutje ai ka shkruar se, “për fat të keq, ky hap sublim i tyre, asnjëherë nuk u vlerësua, sa e si duhet. Këta delegatë, që pak më vonë miratuan edhe Kushtetutën e Kaçanikut, në historinë e Kosovës do të mbeten ‘Delegatë të Pavarësisë’, prandaj atyre edhe do tu njihet statusi e deputetit dhe të gjitha privilegjet që nënkupton ky status”.

“Deklarata e 2 Korrikut e vitit 1990, duhet të ruhet në kujtesën tonë, si ndër të rrallat ngjarje që e bënë historinë e Kosovës”, shkruan Haradinaj.