Arbëri

Haradinaj: Angazhimi im kurrë s’do të jetë në kundërshtim me interesin qytetar e shtetëror

Lideri i AAK-së dhe i nominuari për kryeministër nga PAN-i, Ramush Haradinaj në një postim në Facebook, duke falënderuar votuesit e tij, ka shkruar se “do ta bëj të pamundurën që besimin tuaj ta kthej në fuqi e përcaktim për zhvillimin dhe përparimin e Kosovës sonë të përbashkët”.

Postimi i plotë i Haradinajt:

Të nderuar qytetarë të Kosovës, të nderuar votuesit e mi!

Mbështetja dhe vota që ma keni dhënë në zgjedhjet e 11 Qershorit, është besimi i Juaj i madh, pa të cilin unë nuk mund ta bëja as edhe një hap! Nga zemra Ju faleminderit!

Megjithëse këto zgjedhje u mbajtën në rrethana të jashtëzakonshme dhe në kohën e vendimeve, që nuk jam shumë i sigurt që u kuptuan menjëherë e nga të gjithë, dyfishimi i votës suaj për mua, është nder por edhe përgjegjësi.

Ju siguroj se angazhimi im, kurrë dhe asnjëherë, nuk do të jetë në kundërshtim me interesin qytetar e shtetëror të Kosovës!

Do ta bëjë të pamundurën që besimin tuaj ta kthej në fuqi e përcaktim për zhvillimin dhe përparimin e Kosovës sonë të përbashkët! Na priftë e mbara! RH