Arbëri

Rama kritikon sërish Kosovën për Ballkanin e Hapur: Shqipërisë nuk i jepen leksione

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vazhduar të kritikojë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pasi nuk po pranon të bashkohet në nismën Ballkani i Hapur. Tha se Shqipërisë nuk mund t’i j epen leksione.

Rama ka shfrytëzuar foltoren e Kuvendit të Shqipërisë, ku po votohet kabineti i ri qeveritar me të kryeministër, për të kritikuar sërish, ndonëse nuk ka përmendur emrin e Kurtit.

Rama kritikoi Kurtin edhe të martën, në ditën kur kancelarja gjermane Angela Merkel priti liderët e Ballkanit Perëndimor në Tiranë.

Rama i quajti përralla me gogol ato që ka thënë Kurti për Ballkanin e Hapur, nismë rajonale e themeluar në Novi-Sad nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe Rama.

Deri më tash, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina e kanë refuzuar nismën.

“Për Kosovën, mund të flasim jo të vendosim. Ne na takon thjesht t’i respektojmë ata dhe ata duhet të respektojnë vendimet tona. Nëse nuk i pëlqejnë, bujrum, t’i diskutojmë vëllazërisht, por jo t’i shpallim si tradhtar, si filoserb apo nostalgjiko jugosllav ata që mendojnë ndryshe duke luajtur harushë me dhimbjen e njerëzve, të përvëluar nga lufta të kësaj dhe asaj arme që pushkët i nxjerrin vetëm në Facebook. Ballkani i Hapur është pjellë e Procesit të Berlinit për lëvizjen e njerëzve, mallrave e shërbimeve”, tha Rama.

Në fakt, Merkel mohoi që Ballkani i Hapur është pjesë e Procesit të Berlinit.

“Ballkani i Hapur nuk merr përsipër asgjë. Të nxjerrin vetë gomarin nga balta pa pritur që të na ikë dhe një 10 vjeçar tjetër duke shpresuar se do të tërheqin litarët të tjerët nga Berlini e Parisi se nuk kanë shqetësime të tjera, por të kujdesen për të nxjerrë gomarin tonë nga balta, ndërkohë që ne thurim tym me njëri-tjetrin. Me luftën në Facebook, në kolltuk ka vetëm rrënim dhe izolim. Megjithatë, biem apo jo dakord për Ballkanin e Hapur, dua që me Kosovën të trajtojmë këtë mosdakordësi me respekt. Shqipërisë nuk i jepen leksione”, ka thënë Rama.