Arbëri

Hoxhaj në Dubrovnik: Kosova shembull në parandalimin e kërcënimeve të jashtme

Descriptive Text

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj në ditën e dytë të vizitës së tij në Dubrovnik të Kroacisë, ka marrë pjesë në Forumin Vjetor të Dubrovnikut.

“Në Forumin e Dubrovnikut në Kroaci ku temë kryesore ishte paqja, stabiliteti dhe siguria në Mesdhe, konstatohet nga të gjithë që Kosova është një shembull i shtetndërtimit të suksesshëm në planin e brendshëm dhe një shembull i angazhimit të saj rajonal dhe ndërkombëtar në parandalimin e kërcënimeve të jashtme”, ka thënë Hoxhaj.

Ministri Hoxhaj në diskutimet e panelit të parë të diskutimeve të këtij forumi ka folur për sigurinë dhe stabilitetin në rajon, si dhe për sfidat e sigurisë që ekzistojnë aktualisht.

Hoxhaj ka theksuar se ka ende probleme ndërshtetërore të pazgjidhura mes vendeve të caktuara të Evropës Juglindore, duke përmendur këtu edhe marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, çështjen mospajtimeve për emrin e Maqedonisë, me Greqinë etj.

Ministri Hoxhaj në fjalën e tij ka thënë se ekzistojnë disa rreziqe që mund të ndikojnë në stabilitetin e Evropës Juglindore, siç janë rritja e nacionalizmit, institucionet e brishta, varfëria, dhe në anën tjetër lufta informative dhe lajmet e rrejshme janë po ashtu cenues të sigurisë dhe stabilitetit në rajon.

Këto rreziqe, ka thënë Hoxhaj, mund të luftohen me institucione të forta dhe me ndihmën e shoqërisë civile dhe medias.

Për dy ditë me radhë, Hoxhaj ka qëndruar në Dubrovnik të Kroacisë ku përveç Forumit të Dubrovnikut sot, ka marrë pjesë në Samitin e SEECP-së gjatë ditës së djeshme.