Arbëri

Çitaku e konsideron grackë të rrezikshme hapjen e arkivave me Serbinë

Descriptive Text

Deklarimin e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, se në dialogun me Serbinë është gjetur pajtimi që të hapen të gjitha arkivat, përfshirë ato për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku po e konsideron grackë të rrezikshme.

“Kemi diskutuar për gjetjen e modaliteteve për të arritur sa më shpejtë të familjarët e të pagjeturve. Pala serbe ka thënë se janë dakord që të hapen të gjitha arkivat, që sipas tyre nënkupton që të hapen arkivat shtetërore të Kosovës që kanë të bëjnë me UÇK dhe kjo është në interes tonë sepse shumica e varrezave masive mund të gjenden në arkivat ushtarake të Serbisë”, ka thënë Bislimi të enjten në një konferencë për media, një ditë pas takimit që pati me palën serbe në Bruksel.

Ndërkaq Çitaku ka deklaruar se kjo mund të ketë pasoja të frikshme.

“Zv.kryeministri paska deklaruar në Bruksel se Beogradi është pajtuar t’i hapin arkivat, e aty paska thanë edhe diçka për hapjen e arkivave për UÇK-në. Zoti Bislimi, për cilat arkiva e ke fjalën? Arkivat e Beogradit për UÇK-në? Ato tashmë janë në Hagë. Arkivat e Kosovës për UÇK-në? Apo arkivat e fabrikuara nga të tjerët për UÇK-në? Ju a po mendoni që me pasë pasë UÇK arkiva të tilla ato nuk kishin dalë tashmë?!!! Kjo është një grackë e rrezikshme, me pasoja të frikshme. Me veprimet tuaja të papërgjegjshme tashmë keni pranuar atë për të cilën Serbia ka akuzuar Kosovën dhe UÇK-në për vite të tëra”, ka shkruar ajo në Facebook.

Bislimi po ashtu ka deklaruar se gjatë takimeve në Bruksel e kanë evidentuar si problem kyç mosgatishmërinë e palës serbe që të mos i hapë arkivat ushtarake që kanë të bëjnë me divizionin për Kosovën dhe në të njëjtën kohë joseriozitetin e Serbisë kur kërkon gërmime në Kosovë. Ai ka thënë se në takimin trilateral janë njoftuar se nga lokacionet në Kizhevak, Instituti i Mjekësisë Ligjore në Beograd ka arritur t’i identifikojë emrat e shtatë personave të gjetur, ndërkohë ka informacione se edhe në Bogë të Kosovës janë identifikuar dy persona.