Arbëri

Lirohet nga spitali i lënduari rëndë në aksidentin me autobus në Kroaci

Blerim Krasniqi, që nga 25 korriku po kurohej në spitalet e Kroacisë, sot është liruar.

Krasniqi ishte një prej udhëtarëve që u lëndua në aksidentin me autobus të linjës Frankfurt – Prishtinë. Aksidenti ndodhi më 25 korrik në Slavonski Brod dhe për pasojë humbën jetën 10 qytetarë që po ktheheshin në Kosovë për pushime.

Në autobus, gjithsej ishin 69 veta, përfshirë edhe dy shoferë. Njëri prej shoferëve vdiq, kurse drejtuesi i tij, është në paraburgim në Kroaci.

Lajmin për lirimin e Krasniqit e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme,. Xhelal Sveçla.

Sipas tij, Krasniqi është nisur për Gjermani për trajtim të mëtutjeshëm.

Në spitalet kroate ishin trajtuar rreth 45 kosovarë të lënduar në këtë aksident, por u liruan më shpejt, disa të nesërmen, e Krasniqi pas një muaji e gjysmë.