Arbëri

Specialja për konferencat e ndara në Kosovë: Ka njerëz të veriut që s’mund të vijnë në Prishtinë

“Ka njerëz që s’mund të vijnë në Prishtinë dhe po zgjerojmë komunikimin” ka qenë arsyetimi i Gjykatës Speciale pse kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, do të mbajë dy konferenca për media në Kosovë, një në Prishtinë dhe një në Mitrovicën e Veriut.

E pyetur se çfarë mesazhi dërgon mbajtja e dy konferencave, njëra në Prishtinë e tjetra në Mitrovicë dhe se a tregon dallime të Speciales në vija etnike e lokale, Trendafilova i është shmangur përgjigjes duke thënë se “s’është politikane dhe këtë ua lë njerëzve profesionistë”.

Duke thënë se ajo shkon aty ku i kërkohet, Trendafilova ia ka lënë fjalën Angela Griepit, shefes për informim me publikun, e cila ka thënë se “Specialja po përpiqet të zgjerojë komunikimin e vet”.

“Sa i përket vizitës të kryetares dhe administratores kemi dashur të ofrojmë qasje për një numër të madh të njerëzve, që nuk mund të vijnë në Prishtinë. Do kemi edhe këtu njerëz që na janë bashkuar nga Mitrovica, kjo është arsyeja specifike pse jemi këtu. Me siguri do të zgjedhim dy vende tjera me qëllim të arrijmë sa më shumë njerëz”, ka deklaruar ajo në konferencën për media të martën në Prishtinë.

Konferenca në veri do të mbahet të mërkurën.