Arbëri

Sot nis raundi i ri i dialogut Kosovë-Serbi

Sot, e martë, në Bruksel do të nisë raundi i ri i bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Takimi do të jetë në nivel ekspertësh.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, pritet të takohet sot me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Pas takimit me Lajçakun pritet një takim trelateral me palën serbe, e që përfaqësohet nga drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se në takimin bilateral me Lajçakun do të diskutohet për zbatimin e marrëveshjes mbi energjinë dhe atë të tabelave të veturave, si dhe çështja e të zhdukurve me forcë.

Ndërsa në atë trelateral do të diskutohet vetëm për çështjen e të zhdukurve me forcë.

Takime në mes të Kosovës dhe Serbisë s’ka pasur që nga muaji korrik kur liderët shtetërorë u takuan në Bruksel.