Arbëri

Subvencionet e dyshimta

Parregullsi të shumta ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në dhënien e subvencioneve nga katër komuna të rajonit të Prishtinës (Podujevë, Obiliq, Fushë-Kosovë e Graçanicë).

Gjatë vitit 2020, komunarët e Podujevës nuk i kanë respektuar kriteret që i kanë vendosur vetë ata kur i kanë subvencionuar fermerët e kësaj komune. Ata i kanë shpërblyer me subvencione fermerët që kishin falsifikuar vërtetimet për posedim të gjedheve me numër identifikues të një fermeri tjetër pa e pasur asnjë gjedhe.

Sipas ftesës publike për subvencionim me mullinj për prodhimin e ushqimit për kafshë, përfituesit duhej të dorëzonin vërtetimin nga AVUK-u me të cilin dokumentonin se posedojnë të paktën shtatë (7) krerë gjedhe apo 3.000 shpezë dhe vërtetimin e tatimit në pronë se nuk kanë obligime ndaj komunës.

“Në dy raste kemi vërejtur që përfituesit e subvencioneve ishin shpërblyer me pajisje - mullinj për prodhimin e ushqimit për kafshë (vlera për një pajisje ishte 989€) pa i përmbushur kriteret e kërkuara sipas ftesës publike. Rastet dhe mangësitë janë si në vijim: Përfituesi kishte dorëzuar vërtetimin nga një ambulancë veterinere për posedimin e shtatë (7) krerë gjedhesh, mirëpo nga dokumentet e aplikimit është vërejtur se tre (3) nga shtatë (7) gjedhet ishin me numër identifikues të një fermeri tjetër”, thuhet në raportin e ZKA-së për Komunën e Podujevës, e që u referohet të dhënave të vitit të kaluar.

Në vend me të AVUK-ut, fermerët aplikuan me vërtetime nga ambulancat veterinere

Nga ekzaminimi i ekipit të auditimit në terren, siç thuhet në raport, është vërejtur se ky përfitues nuk posedonte asnjë gjedhe. Për rastin tjetër, sipas Auditorit, përfituesi nuk kishte bashkangjitur vërtetimin e tatimit në pronë me të cilën dokumentonte se nuk kishte borxhe ndaj komunës, si dhe kishte aplikuar disa ditë pas afatit (aplikoi më 28.07.2020, kurse afati i fundit për aplikim ishte 24.07.2020).

“Edhe ky si të gjithë aplikuesit e tjerë kishte ofruar vërtetimin nga një ambulancë veterinere e jo nga AUV-i për të dokumentuar numrin e gjedheve/shpezëve. Kjo ka ndodhur për shkak se komisioni nuk ka bërë një shqyrtim të drejtë të aplikacioneve, duke mos bërë krahasimin ndërmjet aplikacioneve, dëshmitë e bashkangjitura në raport me kriteret e vendosura”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka vërejtur edhe mungesë të planit të subvencionimit të OJQ-ve nga Komuna e Podujevës. Sipas nenit 6 të Rregullores 04/2017 mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve, ofruesit e mbështetjes financiare duhet të përgatisin planin vjetor të mbështetjes financiare për OJQ-të më së largu 30 ditë pas miratimit të buxhetit vjetor të Republikës së Kosovës dhe t’ia dërgojnë atë zyrës përkatëse për qeverisje të mirë pranë Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës.

“Komuna nuk kishte përgatitur plan vjetor për subvencionimin e OJQ-ve, i cili do të duhej të dorëzohet pranë Zyrës së Kryeministrit, edhe pse gjatë vitit kishte subvencionuar OJQ-të me rreth 500.000€. Kjo kishte ndodhur pasi që zyrtari kryesor administrativ nuk kishte deleguar përgjegjësi për hartimin e planit për financim të OJQ-ve te përgjegjësit e programeve që bëjnë shpërndarje të subvencioneve”, thuhet në raport.

Parregullsi të shumta në Obiliq

Mospërgatitje të planit vjetor për mbështetje financiare/subvencionim, Auditori ka gjetur edhe te Komuna e Obiliqit. Edhe këtu, ZKA-ja ka vërejtur se Komuna e Obiliqit nuk kishte përgatitur një plan vjetor të përgjithshëm të mbështetjes financiare për OJQ-të.

“Një plan i mbështetjes financiare për OJQ-të ishte përgatitur vetëm nga Drejtoria e Kulturës, por jo edhe nga drejtoritë e tjera. Kjo situatë është si shkak i mungesës së kontrolleve efikase në përmbushjen e kërkesave për hartimin dhe raportimin e planit vjetor të subvencioneve dhe përmbushjen e kërkesave për raportim të planit në ZKM”, thuhet në raport.

Auditori gjithashtu ka testuar dy projekte të financuara për “Zhvillimin, afirmimin, promovimin e fluturimeve të lira në rritjen e vetëdijesimit të rinisë për një shëndet të mirë”, në vlerë 3.000€ dhe projektin “Organizimi i aktiviteteve sportive të grupmoshave të ndryshme për qëllime edukative”, në vlerë 3.500€. Siç thuhet në raport, ZKA-ja ka identifikuar se Komisioni vlerësues kishte hartuar një procesverbal rreth vlerësimit të aplikacioneve, duke mos përdorur formularët zyrtarë të vlerësimit të aplikacioneve dhe se të dhënat e prezantuara ishin të mangëta dhe nuk shpjegonin mjaftueshëm informata për projektet e refuzuara, por edhe për ato që janë propozuar për financim.

“Për ‘Përkrahjen financiare të bizneseve për shkak të pandemisë’ në vlerë totale prej 130.000€, ishte bërë një ftesë dhe ishte organizuar një takim me biznese, por jo ndonjë publikim të Thirrjes Publike në uebfaqe të Komunës, apo formë tjetër të informimit. Kriteret për pjesëmarrje nuk ishin përcaktuar paraprakisht, por ato ishin vendosur nga komisioni që ishte caktuar për shqyrtimin e dokumentacionit. Kriteret e vendosura ishin të përgjithësuara dhe vështirë të matshme. Ishin përcaktuar limitet e financimit për llojet e bizneseve, por në disa raste komisioni nuk u është përmbajtur atyre kritereve”, thuhet tutje në raport. “Një nga kriteret ishte që bizneset me veprimtari gastronominë të përfitojnë 600€, ndërsa sipas këtij kriteri kishin përfituar edhe bizneset e tjera që nuk kanë zhvilluar aktivitetin e gastronomisë. Për disa biznese të refuzuara nuk janë dhënë informata të mjaftueshme për mosplotësim të kritereve, dhe disa të tjera (nëntë raste) ishin refuzuar për shkak të aktivitetit të biznesit, ndonëse ishte vendosur edhe kriteri që çdo aplikues/biznes individual të përfitojnë 300€, pa përcaktuar ndonjë kufizim”.

Në fund të procesit, sipas Auditorit, lista e përfituesve ishte publikuar në uebfaqe, por jo edhe shumat financiare sipas përfituesve.

“Pagesa në vlerë prej 20.000€ e dedikuar për kompanitë publike për mbështetje financiare për shkak të pandemisë, ishte regjistruar në kodin ekonomik të subvencioneve për entitete jopublike, ndonëse përfitues ishte entiteti publik. Arsyeja për këtë është mungesa e kontrolleve adekuate për të monitoruar procesin e subvencionimit, që ka rezultuar në moszbatimin e kërkesave ligjore gjatë procesit të vlerësimit dhe përzgjedhjes së projekteve për financim”.

Komuna e Fushë-Kosovës financoi dy herë të njëjtin projekt dhe ndali disa pajisje për vete

Ndërkohë, Komuna e Fushë-Kosovës nuk e kishte shpërndarë të gjithë mekanizmin bujqësor te fermerët. Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, 2 trimerë-kositëse bari, kultivator WM 1100A-6 (2 copë), kositëse me benzin Beker LP-LM61 (2 copë), prerëse bari profesional për fusha futbolli, traktor villager VT 1000HD, prerëse bari për parqe e fusha futbolli, traktor villager VT 980 ishin mbajtur në depo të komunës për qëllim të mirëmbajtjes për nevojat e komunës. Vlera e tyre totale sipas furnizimit është 6,710€ dhe këto janë mbajtur në depo e nuk janë regjistruar si pasuri e Komunës. Gjithashtu, zyrtarët komunalë kishin mbështetur përfitues të ndryshëm për të njëjtin projekt.

“Komuna ka subvencionuar dy herë të njëjtin projekt ‘Rritja e kohezionit social dhe ndëretnik, përmes aktiviteteve kulturore dhe sportive’ te dy përfitues të ndryshëm. Përfituesi i cili ishte mbështetur nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në vlerë prej 2.000€ ishte përfitues individual dhe nuk kishte marrëveshje/kontratë me komunën, si dhe nuk kishte dorëzuar kurrfarë raporti për fondet e shfrytëzuara. Ndërsa përfituesi tjetër ishte REIS (Instituti për Hulumtim, Trajnim dhe Edukim) në vlerë prej 5.000€ i mbështetur nga Drejtoria për Arsim, kishte marrëveshje me komunën dhe ka dorëzuar raporte financiare për aktivitetet e kryera”, thuhet në raport.

ZKA-ja ka gjetur se gjatë vitit të kaluar ka pasur edhe mungesë të marrëveshjes së nënshkruar mes përfituesit dhe komunës, dhe raportimit financiar nga ana e përfituesit, ndarje jo të duhur të detyrave dhe mungesë të planit vjetor të mbështetjes financiare të OJQ-ve dhe subvencionimi i tyre pa shpallje publike.

Në Graçanicë u ndanë subvencione me dokumentacion të pakompletuar

Auditori ka gjetur parregullsi në dhënien e subvencioneve edhe në Komunën e Graçanicës. Sipas ZKA-së, te subvencionimi i projektit “Zhvillimi dhe Promovimi i Turizmit në Komunën e Graçanicës” në vlerë 40.000€, është identifikuar se përfituesi i subvencionit nuk kishte sjellë dëshmi nga gjykata se menaxheri i projektit dhe personi përgjegjës i OJQ-së nuk janë nën hetime për vepra penale.

“Te subvencionimi i projektit ‘Shënimi i Ditës së Komunës së Graçanicës’ në vlerë 6.000€, kemi identifikuar se: Dokumentet/formularët e aplikimit ishin të panënshkruar nga përfaqësuesi i autorizuar i OJQ-së përfituese dhe nga menaxheri i projektit/udhëheqësit, si dhe nuk ishin të plotësuara, siç kërkohet me rregulloren për financim të OJQ-ve, edhe pse i njëjti projekt ishte aprovuar nga Komisioni vlerësues.

“Përfituesi i subvencionit nuk kishte sjellë dëshmi nga gjykata se menaxheri i projektit dhe personi përgjegjës i organizatës nuk janë nën hetime për vepra penale”, thuhet tuje në raport. “Te projekti për ‘Zhvillimin i Bujqësisë dhe Rritja e Aktivitetit Bujqësor’ në vlerë 11.000€, kemi identifikuar se: Aplikacionit i mungonte deklarata mbi financimin e dyfishtë dhe Deklarata mbi projektet e financuara nga burimet publike. Përfituesi i subvencionit nuk kishte sjellë dëshmi nga gjykata se menaxheri i projektit dhe personi përgjegjës i organizatës nuk janë nën hetime për vepra penale. Nuk është ofruar dëshmi se përfituesi nuk ka ndonjë obligim financiar ndaj Komunës”.

Sipas ZKA-së, zyrtari certifikues (alternativ) që kishte certifikuar pagesën për këtë subvencionim, ishte edhe anëtar i Komisionit vlerësues të kërkesës për subvencionim.