Arbëri

Tahiri: Aleanca strategjike me SHBA-të interes nacional për Kosovën

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri është takuar sot në një drekë pune me Matthew Palmer, drejtor i Zyrës për Evropën Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit të SHBA-ve.

Në këtë takim, ministrja Tahiri vlerësoi lartë angazhimet Palmer në proceset e rëndësishme për Kosovën dhe rajonin në gati tre dekadat e punës së tij si diplomat amerikan dhe sidomos në përkrahje të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

“Është qenësore që SHBA-të të vazhdojnë rolin udhëheqës në proceset e paqes dhe perspektivës euroatlantike të rajonit”, tha ministrja Tahiri, duke e siguruar Palmerin se për Kosovën aleanca strategjike me SHBA-në është interes nacional dhe se Kosova po ecë sigurt në rrugën euroatlantike, përmes një qeverisje demokratike dhe reformatore.

Ministrja Tahiri e njohu nga afër Palmer me zhvillimet politike dhe të sigurisë në vend dhe vendosmërinë e shtetit të Kosovës për të bërë progres të gjithanshëm dhe përshpejtim të integrimeve euro-atlantike.

“Kosova është një model për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunime rajonale, të cilën po e dëshmon edhe në dialogun e Brukselit”, tha ministrja Tahiri, duke shtuar se provokimet destabilizuese të Serbisë ndaj Kosovës i menaxhuam me maturi dhe të palëkundur në mbrojtjen e sovranitetit të Kosovës.

Drejtori i Zyrës për Evropën Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit të SHBA-ve, Palmer tha se SHBA-të mbështesin fuqishëm shtetin e Kosovës dhe integrimin e saj në strukturat euroatlantike.

“Ne vlerësojmë progresin që është arritur në Kosovë dhe përkushtimin tuaj serioz për reforma dhe zhvillimin e gjithmbarshëm të vendit tuaj”, tha Palmer, duke shprehur kënaqësinë që edhe vet ti shohë përparimet e Kosovës. Ai potencoi se përkushtimi i SHBA-ve për Kosovën dhe rajonin do të jetë i njëjtë siç ka qenë gjatë gjithë proceseve të lirisë dhe pavarësisë së saj.

Ai po ashtu theksoi se SHBA-të mbështesin dialogun për fqinjësi të mirë që po zhvillohet në Bruksel, duke thënë se është në interes për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe ardhmërinë euroatlantike të Kosovës.