Arbëri

Pajaziti: Qeveria, përgjegjëse për dështim në menaxhim të pandemisë

“Gjithçka mbrapsht” është komenti i anëtarit të Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti, për menaxhimin që Qeveria Kurti ia ka bërë situatës me pandeminë e COVID-19. Në Interaktiv të KTV-së, Pajaziti ka thënë se Qeveria është përgjegjëse e plotë për menaxhim dhe se sipas tij, faji s’duhet të gjuhet diku tjetër.

Ai ka akuzuar Qeverinë për mungesë strategjie për të dalë nga situata me të cilën po përballet vendi.

“Edhe sot fatkeqësisht kemi trend të njëjtë të rasteve dhe fatkeqësisht të vdekjeve. Siç e dini, ne si opozitë, si PDK, më saktësisht lideri i partisë dhe opozitës, ka pas adresim publik. Jemi të shqetësuar jo vetëm për faktin e tmerrshëm se po bëhet tashmë tragjedi, por edhe për faktin se s’po shohim në horizont strategji apo përpjekje serioze të Qeverisë për të dalë nga kjo situatë. Po menaxhohet sikur befasisht të kishte ndodhur dje, e ne në ndërkohë po përballemi me pandeminë më shumë se një vit. Ka varg institucionesh që kanë ofruar ndihmë për ne e ne ende jemi në këtë situatë. Është fatkeqësi e dyfishtë. Kemi probleme me vaksinat, trajtime të të gjithë sistemit. Vonesa. Jo plan konkret për vetëdijesim. S’ka funksionim normal të shtetit”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, pushteti po refuzon edhe ndihmën që po ia ofron opozita për menaxhim të pandemisë. Ai ka thënë se në këtë kohë duhet të “ketë unitet qytetar e institucional të plotë”.

Pajaziti ka akuzuar Qeverinë se ka dështuar në procesin e vaksinimit.

“Kemi parë refuzimet e tyre populiste kur edhe Shqipëria dëshironte të ndihmonte në fillim të pandemisë e debatohej për origjinën kah vijnë ato vaksina, e një vit më pas hedhen vaksinat që merren nga një vend mik. Gjithçka është nën nivelin e menaxhimit. S’po flasim se ndoshta s’është humane të flitet se si janë marrë ato donacione. Donacion me afate të limituara e s’bëri asgjë që t’i harxhojë në kohën e duhur. S’pati projekt të mobilizojë popullatën që të vaksinohej. S’kemi pas vaksinim pas vikendeve... Gjithçka, gjithçka ishte mbrapsht”, ka thënë ai. “Është absurditet. Fajësojnë qytetarët, fajësojnë opozitën, fajësojnë se disa vaksina ishin nga vendet që nuk e kanë njohur Kosovën. S’ka koment. Përgjegjësia e plotë është e atyre që kanë mandatin e qytetarëve të menaxhojnë këtë proces”.


Pajaziti: Fushatën do ta bëjmë sipas masave anti-COVID

Anëtari i Këshillit Drejtues të PDK-së, Zenun Pajaziti, ka thënë se kjo parti është e gatshme të bashkëpunojë me partitë tjera opozitare dhe Qeverinë që të ndërmarrin çfarëdo masa të nevojshme që frenojnë përhapjen e virusit COVID-19.

Ai ka thënë se për të ndihmuar lidhur me këtë, edhe Ligji për Zgjedhjet duhet të adaptohet në përputhje me rekomandimet anti-COVID kur është e nevojshme, e në rastin konkret, për shkurtimin e fushatës së zgjedhjeve lokale.

“Edhe ligji për zgjedhjet duhet të adaptohet në përputhje me rekomandimet që do dalin nga institucione që menaxhojnë këtë proces. Duhet ë shumë se rëndësia e asaj dite, më shumë se gjithçka, është në pyetje jeta e njerëzve. Duhet urgjent MSH, Qeveria të reagoj lidhur me këtë pandemi, t’i shfrytëzoj të gjitha kapacitetet, ta shfrytëzoj edhe këtë gatishmëri të opozitës dhe të ecet përpara”, ka thënë ai në Interaktiv të KOHËS.

Pajaziti ka thënë se PDK-ja do ta përshtasë fushatën e saj zgjedhore sipas rekomandimeve dhe masave që do të jenë në fuqi gjatë asaj periudhe.

“E para do shohim si do vendoset nga institucionet koha e fushatës, do shohim si do reagoj qeveria. Sjellja jonë politike karshi këtij procesi zgjedhor do jetë në përputhje se si do jetë gjendja me pandeminë dhe si do jenë masat e përgjithshme. Nëse do ketë sukses, do jemi pak më të relaksuar në aktivitetet tona, por siç duket jemi shumë të shtrënguar të jemi shumë të disiplinuar dhe të marrim masa edhe ne vetë në raport me aktivitetet tona”, ka thënë Pajaziti.