Arbëri

Kadriu: Ligji për Duhanin e ka vështirësuar punën e inspektorëve për gjobat në kafiteri

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Flamur Kadriu, ka thënë se Ligji për Duhanin e ka vështirësuar punën e inspektorëve për gjobat në kafiteri, si pasojë e mos respektimit të masave të reja anti-COVID.

Kadriu ka thënë në "Interaktiv" të KTV-së se për këtë arsye mbrëmjen e së martës ka pasur shumë pak gjoba të shqiptuara nga AUV-i, ndërkaq ka shtuar se mbrëmjen e së mërkurës priten të shqiptohen më shumë gjoba.

“Kjo është edhe arsyeja pse dje ka pasur më pak gjoba kurse sonte do të ketë më shumë për arsye të interpretimit të pikave se cilat janë hapësira të mbyllura, pasi kafiteritë kanë hapësirat ku mund të pihet duhani. Hapësirë e mbyllur janë edhe ato ku tarracat e gastronomisë nuk janë në përputhje me atë nen të atij ligji. Njëri prej neneve të Ligjit definon se hapësirë e mbyllur janë edhe ato pjesë që kanë pjesë lëvizëse, materiale të ndryshme që e kufizojnë hapësirën sikur të mbyllur. Nëse një tarracë është me material lëvizës në tavan ose edhe në mure, ajo hapësirë llogaritet e mbyllur. Do të merren masa duke filluar nga sonte për këto hapësira”, ka thënë Kadriu.

Ai ka shpjeguar, se nëse gjatë kontrollimit, pronari i një lokali nuk e ka vënë në shfrytëzim plafon lëvizëse në lokal, atëherë ai nuk bën shkelje.




Kadriu: Inspektorët janë shpërndarë në 6 regjione, më shumë janë në Prishtinë

U.d. i kryetarit të AUV-it, Flamur Kadriu, ka thënë se inspektorët të cilët janë angazhuar së fundmi nga Qeveria e Kosovës për të ndihmuar në kontrollet për masat anti-COVID, janë shpërndarë në gjashtë regjione.

Në Interaktiv të KTV-së Kadriu ka treguar mbi përvojën e tyre, pasi u përfol se shumica e inspektorëve të rinj nuk e kanë përvojën e nevojshme siç kërkohej me konkurs.

“Më së shumti inspektorë ka në Prishtinë. Inspektorët e rinj janë të shpërndarë në gjashtë regjione. Secili regjion ka ekipe në komuna përkatëse”.

“Shpërndarjen e tyre është dashur ta konsiderojmë se si është përvoja e tyre. E pash që ata inspektorë që i kemi marrë janë diku 50-50. 50 për qind e atyre janë inspektorë që kanë punuar paraprakisht, që kanë përvojë ndërsa gjysma tjetër janë rishtas që janë marrë”.

“Ne nuk kemi marrë pjesë në përzgjedhjen e tyre, MSH-ja e ka bërë përzgjedhjen. Efekti i këtyre inspektorëve po shihet dhe me kohë do rritet eksperienca e tyre”.

Kadriu ka thënë më tej se pas tre muajve inspektorëve të rinj do t’u mundësohet vazhdimi edhe për tre muaj, varësisht nga gjendja me pandeminë dhe nevojës së AUV-it.