Arbëri

Hyrja në Maqedoni, vetëm me vërtetim të vaksinimit ose test negativ për COVID

Nga sot, hyrja e shtetasve të Kosovës në Maqedoninë e Veriut nuk do të jetë pa kushte për shkak të situatës me COVID-19.

Në një njoftim të Ambasadës së Kosovës në Shkup, thuhet se për të hyrë në Maqedoni, shtetasit kosovarë duhet të kenë vërtetim për imunizim me të dy dozat e vaksinës, vërtetim për kalimin e virusit COVID-19 në 45 ditët e fundit, ose vërtetim mjekësor me rezultat negativ nga testi PCR në 72 orët e fundit.

Hyrja në Maqedoninë e Veriut lejohet edhe me test negativ antigjen, të kryer në 48 orët e fundit.

Të njëjtat masa vlejnë edhe për shtetas të shumë vendeve tjera që po kalojnë situatë të rënduar me pandeminë.

Përjashtim bëjnë qytetarët që kalojnë transit përmes Maqedonisë së Veriut, e të cilët në pikën hyrëse duhet të nënshkruajnë një deklaratë për këtë.