Arbëri

Ambasadorët e shkarkuar përshëndeten me misionet diplomatike

Foto: Koha / ilustrim

12 ambasadorët e emëruar me çelës politik të cilët ishin liruar nga detyra në maj, do të kthehen në Kosovë.

Disa prej tyre i kanë shfrytëzuar rrjetet sociale për t’u përshëndetur me misionet e tyre diplomatike jashtë vendit.

Ambasadori i Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi përmes një postimi në Twitter ka falënderuar Kosovën që i kishte caktuar atë në detyrën e ambasadorit, në siç e ka quajtur ai, kryeqytetin më të bukur në botë në vitin 2016.

“Falënderoj Francën për pritjen e saj shumë të ngrohtë. Rroftë miqësia Francë-Kosovë! Lamtumirë, miq të dashur. Shihemi së shpejti në Prishtinë”, ka shkruar ai në Facebook.

Edhe Arbër Vllahiu i cili ishte ambasador në Çeki, ka thënë se ka qenë nder i tij jetësor për t’i shërbyer Kosovës në Republikën Çeke.

“Miq të mi të dashur në Republikën e Çekisë. Ka ardhur koha, që pas afro 3 vjet e gjysmë të shërbimit, t’i themi mirë u pafshim njëri tjetrit në rrethana të reja. Ka qenë nderi im jetësor t’i shërbej shtetit tim, Kosovës, në Republikën e Çekisë dhe ta bëjë pjesë të jetës sime këtë vend dhe popullin e tij. Ju jam mirënjohës për pritjen e ngrohtë e miqësore, për bashkëpunimin dhe mbështetjen e përkrahjen e madhe të qytetarëve në Çeki, të institucioneve të Çekisë dhe gjithë Korit Diplomatik në Pragë. Ju jam mirënjohës për përkrahjen e parezervë në rrugëtimin për Kosovën në botë dhe vendin e saj në familjen evropiane. Kemi qenë bashkë edhe në kohë të vështira e sfiduese dhe jemi përpjekur të ndërtojmë partneritet të sinqertë. Ju faleminderit për respektin e madh”, ka shkruar ai ai.

Ndërkaq ambasadori në Gjermani, Beqë Cufaj, përmes një videomesazhi ka thënë se ka qenë privilegj për të  që të shërbejë për Kosovën në Gjermani.

Derisa ka treguar për përvojën e tij gjatë mandatit, ai ka shkruar “Mirupafshim dhe faleminderit”.

E përmes një postimi në Facebook, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka thënë se ka pritur në takim ambasadorin Nait Hasani, të cilit do t’i përfundojë misioni diplomatik atje.

Ai ka thënë se në bisedë kanë vlerësuar ecurinë dhe përpjekjet e deritanishme për fuqizimin e marrëdhënieve vëllazërore mes Shqipërisë dhe Kosovës në të gjitha fushat, por që meritojnë të jenë edhe më të shkëlqyera.

“Ndamë bindjen se ka ardhur koha të shohim të zbatuara dhe në veprim mbi 70 marrëveshjet e nënshkruara midis dy Qeverive, sepse mbi të gjitha këtë e kërkojnë qytetarët e vendeve tona. I përcolla falenderimet më të përzemërta dhe mirënjohjen e thellë për autoritetet shtetërore të Kosovës, që përherë na janë gjendur pranë, të parat, në përballjen me katastrofat natyrore që kanë goditur Shqipërinë, siç ishte dhe ndihma e vyer e dhënë së fundmi për tejkalimin e situatës së vështirë të krijuar nga zjarret. Shqipëria dhe Kosova, gjithmonë në krah të njëra-tjetrës”, ka shkruar ai.

Ambasadori i Kosovës në Mal të Zi, Ylber Hysa, në takimin e fundit në këtë post me presidentin malazias, Milo Gjukanoviq, ka vlerësuar përkrahjen që shteti fqinj ka treguar për proceset integruese të Kosovës.

Siç ka njoftuar Zyra e Presidentit në Mal të Zi, Gjukanoviq ka thënë se dy shtetet kanë përforcuar raportet mes tyre teksa ka përshëndetur edhe Memorandumin për njohje të dokumenteve të sigurimit të automjeteve në mes të Kosovës, për lehtësim të trafikut të udhëtarëve dhe mallrave.

Hysa dhe Gjukanoviq, sipas njoftimit, kanë shprehur pritshmëritë që bashkëpunimi i mirë do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Lirim Grajçevci i cili ka shërbyer në Hagë në mision diplomatik, përmes një postimi në Facebook ka shkruar se në prag të përmbylljes së mandatit ka takuar disa miq të Kosovës.

“Wim, Paul, Huub, Jan dhe miq tjerë holandezë, nga Ambulance voor Kosovo, kanë organizuar dërgesa të disa autoambulancave në Kosovë, përfshirë materiale dhe pajisje mjekësore për qendrat shëndetësore në qytete të ndryshme të Kosovës. Së fundi edhe gjatë fillimit të pandemisë së Covidit. Kisha nderin t'i falënderoj në emër të Kosovës për miqësinë dhe kontributin e tyre për vendin tonë. Ata me siguruan se do të jenë të lidhur me Kosovën gjithnjë. Faleminderit”, ka shkruar ai.

Ndërkaq në një postim të Ambasadës së Kosovës në Hungari në faqen e tyre zyrtare në Facebook ka shkruar se ambasadori Shpend Kallaba, me rastin e përfundimit të Misionit Diplomatik në Hungari ka takuar drejtorin për punë të jashtme pranë Zyrës së Presidentit të Hungarisë, Ambasadorin Szőke László, me të cilin kanë bashkëbiseduar për marrëdhëniet e mira Kosovë-Hungari.

“Ambasadori Szőke, në veçanti potencoi punën dhe kontributin personal të Ambasadorit Kallaba, në marrëdhëniet bilaterale, për themelimin e bashkëbanimit në sferat e interesit të përbashkët, dhe po ashtu në arritjen e disa marrëveshjeve mes institucioneve të dy shteteve. Gjithashtu edhe Ambasadori Kallaba falënderoi Ambasadorin Szőke, për mikpritjen dhe gatishmërinë e shtetit hungarez për ngritjen e bashkëpunimit në të gjitha fushat me Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Edhe ambasadori i Kosovës në Katar, Amir Ahmeti ka thënë se është krenar që i ka shërbyer vendit në Abu Dhabi.

“Edhe kjo punë u përmbyllë me sukses. Sot pata takimin lamtumirës me L.T. Sheikh Abdullah bin Hamad Al Thani... Krenar që i shërbeva vendit tim. Hapa dy misione të Kosovës, një Ambasadë në Abu Dhabi dhe tjetrën në Doha, ku në këtë të fundit, shërbeva edhe si Ambasador rreth 20 muaj”, ka shkruar ai.

Të liruarit nga detyra më 19 maj e të cilët ishin emëruar me çelës politik janë: Beqë Cufaj (Gjermani), Nait Hasani (Shqipëri), Arbër Vllahiu (Çeki), Lirim Grejqevci (Holandë), Shpend Kallaba (Hungari), Gezim Kasapolli (Kroaci), Avni Kastrati (Slloveni), Gjergj Dedaj (Maqedonia e Veriut), Hajdin Abazi (Australi), Ylber Hysa (Mali i Zi), Avni Arifi (Emiratet e Bashkuara Arabe) e Amir Ahmeti (Katar).