Arbëri

Haradinaj: Kurti ta marrë më seriozisht vaksinimin ose të japë dorëheqje

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar mënyrën e menaxhimit të situatës me pandeminë me COVID-19, nga qeveria e Kosovës.

Haradinaj, në një konferencë për media të dielën ka thënë se qeveria duhet të fokusohet në vaksinim, dhe të sjellë vaksina e të mos e shpërfillë gjendjen në të cilën ndodhet Kosova.

Ai po ashtu ka kritikuar kandidimin e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, për kryetar të komunës së Prishtinës në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

“Qeveria duhet të fokusohet në vaksinim, duhet të sjellë vaksina, të ketë plan për vaksinim, të mos e shpërfillë këtë gjendje në mënyrën se si e ka shpërfillur deri tash dhe si e ka shpërfillë me kandidaturën e ministrit të MSH-së për kryetar komune. Kjo gjendje tregon edhe joseriozitetin e shefit të Qeverisë dhe dëgjoj plotë që kërkojnë dorëheqjen e Vitisë, por faji është te shefi i tij, i cili në kohë të rritjes së rrezikut për shëndetin e popullit, e sheh të arsyeshme të kandidoj ministrin e shëndetësisë për kryetar komune. Nëse ky është kualiteti se si do të përballet ai me sfidat që ka Kosova, në këtë rast me pandeminë, më mirë është të japë dorëheqje sot, mos me mbajt peng popullin dhe të mos i vonojë veprimet e duhura në lidhje me pandeminë”, ka thënë Haradinaj.

Sipas tij, mungesa e seriozitetit në menaxhimin e pandemisë ka sjellë në situatën kur Kosova qëndron më së keqi në rajon në këtë aspekt.

Haradinaj ka kërkuar që të rritet kapaciteti për vaksinim ndërkohë që ka kërkuar nga Kurti që të japë dorëheqje ose ta marrë më seriozisht vaksinimin.