Arbëri

486 gjoba gjatë vikendit, në sheshet e kryeqytetit s’respektohen masat

486 është numri i gjobave që Policia e Kosovës ka shqiptuar vetëm gjatë këtij vikendi për mosrespektim të ligjit anti–Covid-19.

Pas rritjes së rasteve me COVID-19 dhe pas masave të reja të paralajmëruara nga Qeveria e Kosovës, PK-ja ka thënë se do të përditësojë planin e tyre operativ lidhur me masat.

Qytetarët kanë mirëpritur vendimin për vënien e masave derisa thonë se duhet t’i kushtohet shumë rëndësi vaksinimit të masës.

Masat e reja që zyrtarisht hyjnë në fuqi nga 20 gushti parashohin që qytetarët të kenë dëshminë e vaksinës me vete për të hyrë në vende me mbi 100 persona.

Në mungesë të dëshmisë për vaksinim, ata duhet të prezantojnë testin negativ jo më i vjetër se 72 orë, atë antigjen jo më të vjetër se 48 orë, ose dëshmia për kalimin e virusit brenda 180 ditëve.

Shërbimet e gastronomisë do të mund të punojnë me 50 për qind të kapacitetit në ambientet e mbyllura dhe 70 për qind të kapacitetit në ambientet e hapura.

Ndërsa edhe bartja e maskës është e obligueshme, përveç kur një person ecën vetëm në ambient të jashtëm, gjatë ngasjes së automjetit, vetëm, apo në grup me jo më shumë se katër persona, si dhe gjatë ushtrimeve fizike.

Derisa gjatë së hënës të shumtë ishin qytetarët që nuk respektuan distancën fizike e as bartjen e maskës.