Arbëri

IKSHPK-ja sërish bën thirrje: Me vaksinim e kalojmë valën e re nga varianti Delta

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës po bën thirrje të vazhdueshme për vaksinim kundër COVID-19.

Me rastet pozitive në rritje në Kosovë dhe përhapjen e variantit Delta, IKSHPK u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen si metoda më efikase kundër koronavirusit.

“Vaksinimi zgjon mbrojtjen natyrore të trupit tonë për të krijuar rezistencë ndaj infeksioneve specifike dhe e fuqizon sistemin imunitar! Vaksinimi parandalon vdekjet dhe komplikimet e rënda, të cilat kërkojnë shtrirjen e pacientit në spital. Me vaksinim do ta kalojmë valën e re nga varianti Delta me sa më pak të sëmurë e sa më pak viktima”, thuhet në thirrjen e Institutit, të enjten.

Ndërkaq, IKSHPK ka sqaruar se asnjëra vaksinë në përdorim në Kosovë nuk përmban virus të gjallë që shkakton COVID-19 dhe se nga vaksina nuk mund të sëmuret askush.

“Disa po ngurrojnë për t’u vaksinuar sepse frikësohen nga efektet anësore të cilat deri tani në Kosovë kanë qenë minimale por dobia e mbrojtjes nga COVID-19 është shumë herë më e madhe”.