Arbëri

Vishaj: Në Kosovë, bazuar në raportet, dominon varianti Delta

U.d. i drejtorit të Klinikës Infektive, Arben Vishaj, në një intervistë për emisonin Sot në KTV ka thënë se bazuar në raportet e IKSHPK-së nga analizat që janë dërguar jashtë, tash për tash dominon varianti Delta i koronavirusit në Kosovë.

Ai ka thënë se me gjasa edhe pacientët që janë të shtrirë në Infektive janë me variantin Delta andaj ka bërë thirrje për vaksinim.

Ai ka thënë se janë tre pacientë të hospitalizuar në Infektive që janë vaksinuar, porse te ta format klinike janë dukshëm më të lehta sesa te të pavaksinuarit. Vishaj u ka bërë thirrje gjithë qytetarëve që të vaksinohen.

“Javën e fundit ka filluar të rritet fluksi i pacientëve, kemi 34 pacientë të hospitalizuar në Infektive, 25 prej tyre me oksigjenoterapi e dy në gjendje të rëndë kritike, janë të intubuar në mjekimin intensiv. Nuk i kemi të konfirmuara me cilin variant janë, por në bazë të raporteve të IKSHPK-së nga analizat që janë dërguar jashtë, tash për tash dominon varianti Delta te pacientët tonë, mbase edhe këta që janë të shtrirë në Infektive janë me variantin Delta. Kemi tre pacientë të spitalizuar që ishin të vaksinuar, por e kemi vërejtur që pacientët e vaksinuar manifestojnë forma klinike më të lehta, e ata të pavaksinuar e sidomos në formë të shtyrë e me sëmundje kronike manifestojnë forma jashtëzakonisht të rënda. Andaj qëndrimi ynë dhe i gjithë sistemit shëndetësor, është të vaksinohet popullata sa më shpejt të jetë e mundur, pasi është e vetmja mënyrë të mos përfundojnë të shtrirë në repartet tona”, tha Vishaj.

Vishaj ka thënë se në këtë periudhë vitin e kaluar ishin jashtëzakonisht të ngarkuar, ndërsa aktualisht situata është e menaxhueshme. Thotë se kjo mund të jetë fal vaksinimit të popullatës në Kosovë por edhe në Evropë.

Ai ka thënë se gjatë kësaj periudhe ka rritje të numrit të popullatës në Kosovë, pasi vjen mërgata, e kjo mund të ndikojë në rritje të fluksit të pacientëve. Mirëpo, ai ka shtuar se edhe në Evropën Qendrore e Perëndimore ka rritje të pacientëve.

Vishaj ka folur për variantin Delta të koronavirusit, duke thënë se ka aftësi të përhapet sikur lija e ujit. Andaj ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të moshës së rritur, e veçanërisht atyre në moshë të shtyrë e me sëmundje kronike që të vaksinohen.

“Ky variant ka aftësi të përhapet jashtëzakonisht shpejt. Kapacitetet e tij që të përhapet janë të përafërta me ato të lisë së ujit. E keni vërejtur te lija e ujit që pas 14 ditëve të gjithë infektohen, përhapet shpejt. Karakteristikë tjetër e variantit Delta është se i prek edhe moshat e reja, do të thotë se mundësia e përhapjes është shumë e madhe pasi moshat e reja lëvizin vazhdimisht”, ka thënë Vishaj.

Ai ka thënë se në Infektive ka pacientë të moshës mbi 80 vjeçare, 50-vjeçare por edhe të moshave 25 e 30 vjeçare.