Arbëri

PDK-ja vlerëson se Qeveria Kurti nuk ka bërë asgjë nga ato që ka premtuar

Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, e ka vlerësuar me notë negative performancën e Qeverisë Kurti dhe të vetë kryeministrit në 100 ditët e para.

Ai, si nismëtar i seancës për 100-ditëshin e Qeverisë Kurti, ka thënë se duhet të merren për bazë premtimet e Albin Kurtit sa ishte në fushatë, pastaj ato që i shpalosi në ekspozenë e tij si kryeministër e në fund punën që ka bërë për këto ditë.

“Për të pasur këtë debat ne do të duhet të dimë se sa prej këtyre iniciativave janë realizuar. Kjo qeveri ka premtuar se do të ndërtojë 160 çerdhe, pra i bie që çdo 9 ditë të niset nga një çerdhe dhe çka kemi parë deri më tani është asgjë. Ka premtuar se do të ndajë nga 150 euro për familjet që kanë më pak se 5 mijë euro të ardhura vjetore, por çka ndodhi gjatë këtyre 100 ditëve, padyshim që jo, pra zero. E treta është se erdhi në pushtet se do ta jetësojë çështjen e sigurimeve shëndetësore, por deri tani asgjë nuk është bërë për të siguruar këtë. Pra premtuat ekonomi që ka më shumë prodhim, eksport, më shumë punëtorë, e kontrata pune. Çka ndodhi gjatë kësaj kohe, rreth 60 mijë që mbetën pa punë gjatë pandemisë mbetën pa përkrahje. Premtuan depolitizim të institucioneve. Këto 100 ditë pamë se si kjo qeveri është shndërruar në një ndërmarrje të fuqishme për punësime familjare. Premtuan vetting dhe në këto 100 ditë nuk pamë asgjë, jeni bllokuar në një koncept-dokument”, ka thënë Tahiri.