Arbëri

As ekspertët e ekonomisë nuk e mirëpresin iniciativën e Zaevit, Ramës e Vuçiqit

Ish-kryetari i Odës Ekonomike e kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, kanë thënë se Kosova nuk mund të bëhet pjesë e iniciativave ku nuk trajtohet në mënyrë të barabartë. Duke e komentuar ftesën e udhëheqësve të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë e Serbisë, që Kosova e vendet e tjera, t’i bashkohen iniciativës së njohur deri më tani si “Minishengen”, Safet Gërxhaliu, e Agim Shahini, kanë thënë se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të fokusohen kah integrimi në Bashkimin Evropian.

Kërkesa e Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë e Serbisë, që pjesë e iniciativës së tyre të bëhet edhe Kosova, është duke u konsideruar jo e drejtë nga njohës të ekonomisë në vend.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu, ka thënë se Kosova nuk mund të jetë pjesë e këtyre iniciativave vetëm si dekor i tyre.

“Nuk mund të ketë iniciativa në qoftë se qysh në start je i diskriminuar, nuk ke lëvizje të lirë, qoftë mallrave, qoftë të shërbimeve, qoftë të kapitalit, qoftë të njerëzve. Dhe këtë të kërkohet nga Kosova që të jetë pjesë e këtyre iniciativave është paksa e tepër, mirëpo Kosova duhet të reflektojë, reflektimi i Kosovës duhet të jetë që ne nuk e kundërshtojmë rrugëtimin e integrimeve evropiane, jemi pjesë e këtyre proceseve por nuk mund të jemi dekor i iniciativave vetëm për sy e faqe, duhet eliminim i barrierave dhe duhet të jemi të barabartë”, ka thënë Gerxhaliu.

Në anën tjetër, nga Aleanca Kosovare e Bizneseve kanë thënë se fokusi i Kosovës duhet të jetë integrimi në Bashkimin Evropian.

Sipas Agim Shahinit, kryetar i AKB-së, nuk mund të ketë iniciativa si “Ballkani i Hapur”, me vetëm tri shtete pjesëmarrëse.

“Dje ishte mini-shengen, sot Ballkani i Hapur, nesër mund të jetë Ballkanija dhe pasnesër nuk mund të ekzistoj kjo dhe të gjithë në Ballkan duhet të fokusohen më shumë në shengenin e madh e ai është Bashkimi Evropian”, theksoi Shahini. 

Nisma e njohur si “Minishengen” që nga e enjtja është emëruar me emrin “Ballkani i Hapur”. Në nënshkrimin e marrëveshjeve të para në kuadër të saj, liderët e tri shtete pjesëmarrëse, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë iu bënë thirrje për bashkëpunim edhe vendeve të tjera.

Iniciativën e Zoran Zaevit, Edi Ramës, e Aleksandar Vuçiqit, e kanë kundërshtuar Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë Hercegovina.