Arbëri

Varianti Delta, IKSHPK-ja në përgatitje të mostrave të tjera për dërgim në Gjermani

Ka vazhduar rritja e numrit të rasteve të infektimit me COVID-19, ku gjatë 24 orëve të fundit 72 persona kanë rezultuar pozitivë. Ndërkohë, IKSHPK-ja është në përgatitje të mostrave të tjera për dërgim jashtë vendit, për të parë nëse janë me variantin Delta, variant i cili përhapet me shpejtësi të madhe. Në anën tjetër, MSH-ja ka thënë se masat e reja merren vetëm me rekomandim të IKSHPK-së

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik është në përgatitje të mostrave të tjera për t’i dërguar jashtë vendit, për detektim të variantit Delta të koronavirusit.

Këtë për KOHËN e kanë konfirmuar të enjten zyrtarë të IKSHPK-së, në kushte anonimiteti. Ata kanë bërë të ditur se janë në pritje që përgjegjësit nga një laborator në Gjermani të vijnë për t’i marrë mostrat, për shkak se në IKSHPK ende nuk mund të detektohet ky variant.

Të enjten është bërë fiks një muaj qëkur në Kosovë janë konfirmuar dy raste me këtë variant, i njohur edhe si varianti indian. Më 29 qershor, Ministria e Shëndetësisë, përmes një komunikate, kishte treguar se ishin testuar 22 mostra të cilat ishin dërguar jashtë vendit.

Këto mostra ishin dërguar në Berlin të Gjermanisë, për shkak se IKSHPK-ja nuk ka kapacitete për detektim të këtij varianti, i cili përhapet me shpejtësi të madhe, e që ka rikthyer tashmë disa masa kufizuese në vende të ndryshme të botës.

“Varianti Delta i virusit tani është prezent edhe në Kosovë, tanimë është përhapur në shumë vende të botës. Ky variant përhapet shumë më shpejt se llojet e tjera të virusit. Kjo e bën një valë të re të infeksionit të pashmangshme”, është paralajmërimi i bërë në një video të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë, ditë më parë, nga ku u bëhet thirrje edhe qytetarëve për t’u vaksinuar.

E kjo është vetëm njëra nga thirrjet e shumta të Ministrisë së Shëndetësisë për t’u vaksinuar e për t’u mbrojtur nga varianti Delta i koronavirusit.

Nga kjo ministri, me anë të një përgjigjeje me shkrim, nuk kanë treguar nëse janë duke e shikuar mundësinë e kthimit të ndonjë mase kufizuese, por kanë thënë se secila masë e re paraprakisht përcillet me një analizë të situatës dhe rekomandime të IKSHPK-së.

Ndonëse Qeveria e Kosovës më 14 korrik vendosi t’i lejojë ahengjet familjare e klubet e natës deri më 300 të ftuar, MSH-ja u ka bërë thirrje qytetarëve t’i shmangin tubimet në ambiente të mbyllura.

“Në këtë kohë, kur varianti Delta është dominues nga rastet pozitive në SARS COV 2 në shumë shtete, krahas vaksinimit, mirëmbajtja e masave në fuqi ka rëndësi të madhe gjithashtu. Prandaj, MSH-ja kërkon nga qytetarët që të vaksinohen, ta vendosin maskën aty ku kërkohet, të mbahet higjiena dhe distanca si dhe të vlerësohet drejt rreziku duke shmangur grumbullimet në ambiente të mbyllura. Këto janë masa jo vetëm për parandalim të përhapjes së infeksionit, por edhe masa kundër mbylljes”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie dërguar KOHËS.

Në Kosovë në ditët e fundit janë regjistruar dyfish raste më shumë sesa javën e kaluar. Vetëm në 24 orët e fundit, nga 2 mijë e 443 mostra të testuara, 72 prej tyre kanë rezultuar pozitive, derisa numri i rasteve aktive ka shkuar në 305.

Sipas njoftimit të MSH-së, deri tani, në nivel vendi janë administruar mbi 400 mijë doza të vaksinave kundër COVID-19, e mbi 130 mijë prej qytetarëve janë vaksinuar me të dyja dozat.