Arbëri

Tetë viktimat e aksidentit në Kroaci pritet të varrosen nesër, dy të tjerëve do t'iu bëhet obduksioni

(Kosovapress) - Dhjetë trupat e pajetë, të cilët humbën jetën tragjikisht në aksidentin ne Kroaci, pritet që të transportohen nesër në Kosovë. Trupave të Kujtim Kastratit dhe Ahmet Hoxhës, njëri 40-vjeçar e tjetri 55, duhet t'iu bëhet obduksioni. Të dy ishin familjarë mes vete dhe për këta të fundit, nuk ka pasur të afërm të cilët e kanë konfirmuar identitetin e tyre pranë institucioneve kroate.

Këto i ka deklaruar kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, i cili gjatë ditës së sotme është kthyer nga Kroacia, ku gjatë së hënës kishe vizituar spitalin ku po trajtohen edhe dy të lënduar nga komuna e Rahovecit.

Anjeza Bellanica nga Krusha e Madhe dhe Kujtim Kastrati fshati Malësia e Vogël kanë humbur jetën në këtë aksident në qytetin Sllavonski Brod në Kroaci.

"Janë dy qytetarë nga komuna e Rahovecit të lënduar, janë nënë e bijë, të cilat po trajtohen në spitalin e Sllavonski Brod. Kam arritur t'i shoh, t'i vizitoj këto dyja, por edhe pacientët e tjerë të cilët po trajtohen në mënyrë jashtëzakonisht profesionale dhe të veçantë nga ana e gjithë personelit të qytetit Sllovanski Brod. Gjendja e të lënduarve është stabile. Natyrisht dje janë lëshuar 27 nga të lënduarit. Edhe 15 janë duke e marrë trajtimin shëndetësorë. Dy pacientë llogariten që e kanë gjendjen shëndetësore më serioze, por sipas informacioneve të mjekëve ata janë në intensivë por gjendja është stabile", shprehet Latifi.

Ai ka shtuar se gjatë së mërkurës pritet që të transportohen trupat e pajetë, ndërkohë që dy prej tyre mund t’i presin analizat e ADN-së.

"Ne po besojmë që nesër ata do të arrijnë të kthehen në mëngjes në Kosovë dhe po besojmë që varrimi i tetë viktimave të këtij aksidenti të bëhet nesër. Ndërsa, i Kujtim Kastratit dhe Ahmet Hoxhës për shkak se duhet një konfirmim i forenzikës që të merren mostrat për analizat e ADN-së, sapo të konfirmohet gjithçka dhe të kthehen analizat e ADN-së, mund të shtyhet varrimi për një ditë”, ka thënë ai.