Arbëri

Intervistimi “sekret” i kandidatëve për anëtarë të Komisionit të Pavarur për Media

Komisioni ad-hoc për zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media ka intervistuar pa praninë e mediave dhe të shoqërisë civile kandidatët për anëtarë të këtij Komisioni. Pozita thotë se nuk ka pasur kërkesë për monitorim, përderisa sipas opozitës, është pushteti ai që ka kërkuar të mos ftohen mediat e organizatat joqeveritare. Shoqëria civile kërkon transparencë në krejt procesin

Pa praninë e mediave e të shoqërisë civile janë intervistuar ditë më parë nga komisioni ad-hoc, kandidatët potencialë për anëtarë të anëtarë të Komisionit të Pavarur për Media. Mediat s’kanë pasur njoftim për këtë njashtu sikurse as shoqëria civile dhe një gjë e tillë ka nxitur edhe reagime nga këta të fundit.

Flutura Kusari, juriste e mediave ka thënë se nuk ka pasur asnjë njoftim për këtë çështje.

“Kuvendi i Kosovës ka intervistuar në një proces top-sekret kandidatët për Komisionin e Pavarur të Mediave. Nuk janë njoftuar mediat, nuk është postuar informacioni në website-n e Kuvendit të Kosovës dhe është e paqartë se çfarë e ka shtyrë Lëvizjen Vetëvendosje të organizojë intervistimin për pozita publike në këtë formë”, ka thënë Kusari.

Ajo ka bërë thirrje për më shumë transparencë në mënyrë që procesi të mos përsëritet.

“Kushdo që bëhet anëtar i KPM-së përmes kësaj procedure nuk do të jetë legjitim dhe shpresoj që deputetët e Kuvendit të Kosovës do të reflektojnë dhe do të ripërsëritin intervistat ose do të shpallin konkursin nga fillimi. Në të kundërtën normalisht që do të kemi të drejtën të mendojmë që mostransparenca në këtë proces ka ndodhur për shkak që partitë në pushtet, me theks të veçantë, Lëvizja Vetëvendosje ka pasur interes të shtyjë ndonjë kandidat të cilin e favorizon”, ka shtuar ajo.

Ndërkaq, mospraninë e shoqërisë civile e të mediave si monitorues të intervistimit e ka arsyetuar kryesuesi i komisionit ad-hoc, Valon Ramadani nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Shumë herë ka pasur monitorim të këtij lloj procesi, por ata që kanë monitoruar dhe duan të monitorojnë i dinë rregullat e kuvendit që fillimisht duhet të bëjnë një kërkesë drejtuar komisionit ad-hoc e që shqyrtohet pastaj e aprovohet. Por që nuk ka pasur kërkesë prej asnjë organizate e asnjë qytetari”, ka thënë Ramadani.

Mirëpo, anëtarja e opozitës në këtë komision, Albana Bytyqi e ka demantuar këtë. Bytyqi ka bërë të ditur se mosprania e mediave dhe OJQ-ve është kërkuar nga kryesuesi i komisionit që vjen nga radhët e pushtetit, por që vetë e pranuan një kërkesë të tillë.

“Pozita ka vendosur që mos t’i thërrasë mediat e mos të bëhet publike. Kryesuesi Valon Ramadani ka vendosur që të mos thirren mediat dhe shoqëria civile, për shkak që kandidatët po ndihen në stres e ne nuk kemi reaguar”, ka thënë ajo.

Ka shtuar se kandidatët që u vlerësuan më së shumti janë të rreshtuar nga pushteti.

“Kandidatët që janë vlerësuar më së shumti janë të pushtetit. Njëri është sigurt që është mbështetës i pushtetit”, ka thënë ajo.

Lidhur me mungesën e transparencës për këtë proces ka reaguar edhe Federata Evropiane e Gazetarëve të cilët kanë bërë thirrje për transparencë të plotë.

Në KPM kanë mbetur tri pozita të lira që duhen plotësuar, dy anëtarë të bordit nga komuniteti shumicë dhe një nga ai pakicë.