Arbëri

Të pagjeturit dhe katër propozimet e kryeministrit Kurti, tema të takimit në Bruksel

Dialogu - Kurti - Vuçiq

Nga Franca për në Belgjikë do të udhëtojë të dielën kryeministri Albin Kurti për të takimin e 19 korrikut me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Në këtë takim, sipas Zyrës së Kryeministrit, do të diskutohet për personat e pagjetur e propozimet e bëra më 15 qershor. Nga opozita, kryeministri Albin Kurti është duke u kritikuar për qasjen e tij e për mungesë transparence

Përgjigje për propozimet e bëra në takimin e 15 qershorit me presidentin Aleksandër Vuçiq synon të marrë kryeministri Albin Kurti këtë të hënë. Për në Belgjikë, kreu i Ekzekutivit do të udhëtojë të dielën nga Franca, ku ka qëndruar dy ditë, pas qëndrimit rreth tetëditor në Greqi.

Në mesin e çështjeve që pritet të diskutohen në Bruksel më 19 korrik, do të jenë edhe temat e diskutuara në takimin e kaluar. Përveç kësaj, temë kryesore, sipas Qeverisë së Kosovës, do të jetë çështja e të pagjeturve.

“Tema kryesore e takimit të së hënës do të jenë të zhdukurit me dhunë gjatë luftës së fundit, që për ne është çështje me prioritet. Presim që në takim të diskutohen edhe katër propozimet e kryeministrit Kurti nga takimi i kaluar, për të cilat pala serbe nuk ka dhënë ende përgjigje”, thuhet në një përgjigje me shkrim nga Zyra e Kryeministrit. Nga kjo zyrë më tutje kanë shtuar se në takim pritet të diskutohet edhe “për mundësinë e arritjes së pajtimit për agjendën e ardhshme të kapitullit të ri të dialogut”.

Por kryeministri Albin Kurti është duke u kritikuar nga partitë në opozitë për qasjen e tij ndaj procesit të dialogut e për mostransparencë lidhur me këtë proces.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka thënë se është skeptike sa i përket takimit të radhës në Bruksel.

“Nga takimi i Kurtit me Vuçiqin nuk pres asgjë, përveç zvarritjes së procesit, atë të formatit ‘u takuam për t’u takuar’. Qasja e Qeverisë, si e z. Kurtit ashtu edhe e z. Bislimit, është jotransparente ndaj deputetëve e posaçërisht ndaj Komisionit për Punë të Jashtme. Ne nuk kemi asnjë informatë, asnjë, lidhur me procesin e dialogut, politikën e jashtme, strategjinë e dialogut, apo parimet”, ka thënë ajo në një përgjigje për KOHËN.

Sipas saj, kryeministri Kurti ka përgjegjësi ndaj deputetëve e qytetarëve që e kanë votuar për të raportuar para dhe pas çdo takimi.

“Ashtu siç kanë raportuar qeveritë e mëhershme, po ashtu me kërkesë të Kurtit si kryeopozitar që të raportohet para dhe pas çdo takimi në Bruksel, është dashur që edhe z. Kurti bashkë me z. Bislimin të raportojnë në Kuvend, por siç duket janë të kënaqur dhe përmbushur me votat që i kanë dhe tani nuk ndiejnë llogari ndaj deputetëve si përfaqësues të qytetarëve dhe ndaj votuesve të tyre”, ka shtuar ajo, derisa ka përmendur edhe mungesën e kryeministrit në Kosovë gjatë kohës kur në Deçan rreth dy mijë qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore pas dyshimeve për helmim nga kontaminimi i ujit të pijshëm.

Në anën tjetër, Rrezarta Krasniqi nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se për takimin e kanë kuptuar nga mediat, derisa ka shtuar se qasja e Qeverisë ndaj legjislativit është e dëmshme. Krasniqi ka përmendur edhe renditjen e prioriteteve të bëra nga Ekzekutivi i tanishëm gjatë kohës së fushatës zgjedhore, derisa e ka konsideruar të pakuptimtë ndryshimin e qëndrimeve për këtë çështje.

“Ne si opozitë në Kuvendin e Republikës së Kosovës vetëm nga mediat jemi njoftuar për këtë takim të kryeministrit Kurti me Vuçiqin, sepse kjo qeveri ka vendosur të shpërfillë institucionin e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe opozitën, ndonëse kanë miratuar një rezolutë për t’i raportuar Kuvendit të Kosovës para çdo veprimi që do të ndërmerret lidhur me dialogun me Serbinë. Për ne është i pakuptueshëm ky nxitimi i tyre për të dialoguar me Serbinë, duke i marrë për bazë edhe deklarimet e tyre se dialogu nuk do të jetë në prioritetet e para të kësaj qeverie. Mënyra se si e ka nisur dialogun kjo qeveri është e gabuar e që besa edhe e dëmshme për vendin”, ka thënë Krasniqi.

Deputetja e LDK-së e konsideron të dëmshme për demokracinë në vend “qasjen mospërfillëse” që, sipas saj, e ka Qeveria e Kosovës ndaj Kuvendit.

“Duhet të ndryshohet kjo praktikë e keqe që ka nisur ta instalojë, me injorim të Kuvendit dhe të opozitës. Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të njoftohet paraprakisht me agjendën me të cilën Kosova shkon në Bruksel, pra të dihet qartë se çka do të diskutohet atje dhe cili do të jetë pozicioni i Kosovës në raport me Serbinë”, ka thënë ajo.

Takimi i 19 korrikut është i dyti me radhë në kuadër të dialogut, që nga zgjedhjet e 14 shkurtit, pas atij që është zhvilluar në mesin e muajit qershor.