Arbëri

Oferta për “tiketa ngjitëse” në vitin 2013 ishte afro 2 euro

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka vendosur firmën në një dokument i cili është iniciuar në vitin 2018, e që ka të bëjë me vendosjen e “tiketave ngjitëse” në vetura pasi ato ta kalojnë kontrollin teknik. Por, një raport i Auditorit të Brendshëm kishte gjetur shkelje të shumta në këtë proces. Madje vitin e kaluar, për shkak të dyshimeve për keqpërdorime në këtë rast, Task-Forca Kundër Korrupsion e Policisë së Kosovës pati nisur hetime. Edhe në të kaluarën kishte pasur disa tentativa që të shkruhej një marrëveshje e tillë, por për dallim nga marrëveshja aktuale ku çmimi i një tikete është 5 euro, në vitin 2013 kjo tiketë kushtonte rreth 2 euro

Një raport prej 65 faqesh i Ministrisë së Infrastrukturës, të cilin e ka siguruar KOHA, tregon në detaje rrugëtimin e procesit që ka të bëjë me shërbime për “tiketa ngjitëse”, e që është nënshkruar një muaj më parë nga zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

Me kontratën që Ministria e Infrastrukturës ka nënshkruar me kompaninë “Auto Controli”, qytetarët do të obligohen të paguajnë 5 euro për tiketë, e cila dëshmon se vetura i është nënshtruar kontrollit teknik.

Nënshkrimi është vendosur në këtë kontratë, ndonëse Ministria e Infrastrukturës ka qenë e vetëdijshme që për këtë proces veçse ishte nisur hetim nga Task-Forca Kundër Korrupsion e Policisë së Kosovës. Kjo përmendet edhe në një letër të shkruar nga drejtori i Departamentit të Automjeteve, Nebih Shatri, si kundërpërgjigje për një raport të auditimit, i cili kishte evidentuar shumë shkelje në këtë proces.

Kjo përgjigje e Shatrit i ishte adresuar ish-ministrit Arban Abrashi.

“Pas kërkesës së Sekretarit të Përgjithshëm për të përgatitur dokumentacionin për kalibrimin e pajisjeve dhe pajimeve të QKTA-ve dhe dokumentacionit i cili ndërlidhet me ofrimin e shërbimit me ‘Tiketë Ngjitëse’ sipas kërkesës së Hetuesisë nga Departamenti Special i Anti-Korrupsionit, kam pranuar edhe një raport të auditimit të datës 13.07.2020, dorëzuar nga njësia e auditimit, në lidhje me procesin për ofrimin e shërbimit me ‘Tiketa ngjitëse’”, thuhet në këtë dokument.

Ky zyrtar, për të cilin KOHA ka raportuar që ka aktakuza aktive për korrupsion, ka thënë se nuk qëndron raporti i auditimit që kishte gjetur probleme të shumta e dyshime për keqpërdorim në planin e MI-së për ta nënshkruar këtë kontratë.

Raporti i auditimit kishte konstatuar se ky proces do të duhej të bëhej bazuar në Ligjin e Prokurimit Publik, por Departamenti i Automjeteve në MI mendonte ndryshe.

“Për arsye se nuk është shpenzuar buxheti dhe shërbimi ka qenë i paraparë të ofrohej nga palët e treta, kurse kompensimi nga qytetarët, nuk ka shkuar përmes prokurimit”, thuhet në përgjigjen e Departamentit të Automjeteve mbi gjetjet e raportit të Auditorit.

Por, në Ligjin e Prokurimit Publik, neni 3, kur flitet së në cilat rrethana përjashtohet procedura e prokurimit, nuk është kjo rrethanë që pretendon MI-ja. Auditori ka konstatuar së për këtë kontratë nuk është përfillur fare Ligji për Standardizim në Kosovë.

Por, Shatri ka thënë së kjo gjetje “është ekzagjerim që nuk ia vlen të merresh me të”.

“Auditori, siç po shihet në raportin e shkruar, qenka munduar t’i ekzagjerojë gjërat. Në raportin e Auditorit nuk ka diçka konkrete se çfarë shkeljesh janë bërë. Prandaj, për gjëra jokonkrete (të paqena) nuk mund të jap ndonjë shpjegim konkret”, thuhet në këtë letër të Shatrit, që i ishte drejtuar ish-ministrit Abrashi.

Nga i njëjti departament, zyrtari Kadri Krasniqi i kishte dhënë përgjigje për të njëjtën lëndë ish-ministrit të Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku. Edhe Krasniqi ka aktakuzë aktive për korrupsion. Në dokumentin e quajtur përgjigje në shkresën nr.3196 të datës 01.04.2020 lidhur me ofrimin e shërbimit të tiketës ngjitëse, Krasniqi ka thënë se “përkundër se Auditori kishte gjetur shkelje në këtë proces, Zyra Ligjore e Kryeministrit, në një opinion ligjor drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës, ka bërë të ditur se do të mund të vazhdohej me procedurat”.

Në këtë dokument, sipas Krasniqit, bazuar edhe në opinionin ligjor të Zyrës Ligjore të MI-së e edhe Zyrës Ligjore të Zyrës së Kryeministrit, ky proces duhej të vazhdonte.

“Për ligjshmërinë e vazhdimit dhe përfundimit të procesit për dhënien e autorizimit për ofrim të shërbimit me ‘Tiketë Ngjitëse’ është përfshirë dhe konsultuar edhe Departamenti Ligjor i Ministrisë së Infrastrukturës dhe baza ligjore është në rregull dhe nuk ka dilema”, thuhet në këtë dokument.

Ky proces për herë të fundit ka filluar në vitin 2018, kur ministër ishte Pal Lekaj, ndërsa është nënshkruar para një muaji. Zëvendësministri Hysen Durmishi, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka thënë se ka qenë i detyruar ta nënshkruajë kontratën për këtë shërbim.

“Të gjitha rekomandimet kanë qenë që duhet nënshkruar marrëveshja sepse në të kundërtën do të kemi dëme financiare si shtet, sepse kompania e fiton rastin në gjykata. Unë e kam nënshkruar këtë marrëveshje më 8 qershor 2021”, ka shkruar zëvendësministri Durmishi.

Por, situata është ndryshe nga çfarë e ka shpjeguar ai.

Gjatë dhjetë vjetëve të fundit, disa herë kanë nisur procedurat për shërbimin e tiketave, janë anuluar disa herë, e pas anulimit Ministria e Infrastrukturës nuk ka pasur asnjë pasojë.

Një përpjekje ishte bërë në vitin 2012. Kishin konkurruar tri kompani. Më e lira nga to e kishte çmimin 2.55 euro, por kontrata nuk ishte nënshkruar për shkak që ministri i atëhershëm, Fehmi Mujota, e kishte anuluar.

Përpjekja e dytë ishte në vitin 2013. Çmimet atëkohë silleshin rreth 2 euro për tiketë, por sërish ishte anuluar për shkak të numrit të vogël të ofertave. Në dosje thuhet se Auto Shkolla “Abis” kishte ofertuar me çmim për tiketë për 3.15 euro, “Elektoring” kishte ofertuar me çmim prej 2.80 euro, 2.21 euro për tiketë kishte ofertuar kompania “Trautvein GMBH& Co”...

Një përpjekje tjetër ishte bërë edhe në vitin 2014, por sërish ishte anuluar.

Në asnjërin prej rasteve, për vendimin e anulimit nuk kishte pësuar Ministria e Infrastrukturës.

Kompania e cila pritet t’i lëshojë këto tiketa për automjete në publik thuhet se është “Auto Control Kosova SHPK”. Kjo kompani figuron si e regjistruar në Agjencinë për Regjistrim të Bizneseve në vitin 2018 dhe numëron tre punëtorë.

Në lidhje me këtë kontratë dhe lartësinë e çmimit ka pasur reagime të shumta nga shoqëria civile dhe opozita.