Arbëri

Bahtiri fton mitrovicasit: Mos bini pre e provokimeve të strukturave serbe

Descriptive Text

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, ka ftuar qytetarët e këtij qyteti që të mos bien pre e provokimeve nga strukturat ilegale serbe që veprojnë në veri.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka ftuar qytetarët të ruajnë qetësinë në kohën kur serbët në pjesën veriore kanë paralajmëruar një protestë në orëet e mbrëmjes.

“I lus qytetarët e Mitrovicës që të mos bien pre e provokimeve të strukturave dashakeqe serbe që veprojnë në Mitrovicën e Veriut, ku disa prej tyre kanë paralajmëruar protestë për sot.

Ne duhet të punojmë natë e ditë për krijimin e paqes dhe stabilitetit të qytetit tonë, ndërsa jo stabiliteti i përshtatet vetëm atyre që nuk ia duan të mirën Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai.

Serbët kanë paralajmëruar protestë, pasi siç thonë, po kërcënohet siguria e trye çdo ditë e më shumë. Ata e kanë lidhur këtë me një eksploziv që sot ka shpërthyer në një veturë në fshatin Suhadoll. Nuk është raportuar për persona të lënduar.

“Sipas informatave preliminare nga vendi i ngjarjes, dyshohet se personi/at, e paidentifikuar deri më tani, kanë përdorur një litar të cilin e kanë lidhur për rrotën e automjetit, me qëllim që në momentin e nisjes së automjetit, të tërhiqet siguresa e mjetit eksplodues, i cili mjet eksplodues paraprakisht ka qenë i fiksuar në objekt të fortë afër vendit ku vetura ishte e parkuar”, thuhet në njoftimin e policisë”, ka njoftuar Policia për rastin.