Arbëri

Lekaj mohon të ketë nënshkruar kontratën e dyshimtë për urat

Ish-ministri i Infrastrukturës nga radhët e AAK-së, Pal Lekaj, ka reaguar pasi zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka dorëzuar të premten në Prokurori Speciale një dosje për evidentimin e korrupsionit në tenderin për mirëmbajtjen e urave në rrugët regjionale dhe rajonale të Kosovës, për të cilin kishte raportuar KOHA.

Lekaj përmes një statusi i ka quajtur gënjeshtra raportimet të cilat, sipas tij, kanë për qëllim mbulimin e shkeljeve korruptive të qeverisjes aktuale.

“Me lajmin e datës 2 Korrik 2021 i shpërndarë në disa media është shpallë një gënjeshtër në opinion me të vetmin qëllim për t’i mbuluar shkeljet dhe veprimet korruptive të 3 muajve të qeverisjes aktuale. Nga unë, gjatë kohës kur kam qenë Ministër i Infrastrukturës, e them me bindje të plotë, dhe kjo do të dëshmohet shumë shpejtë, nuk kam nënshkruar asnjë kontratë të tillë siç̧ është përshkruar në deklarimet e Durmishit” ka shkruar Lekaj.

Lekaj më tutje i ka quajtur tendencioze raportimet e mediave ndaj tij.

“Vetëm gjatë dy muajve të fundit Durmishi në Ministrinë që udhëheqë Liburn Aliu kanë nënshkruar afër 10 milion euro kontrata pa zhvilluar asnjë procedurë të prokurimit dhe të njëjtat nuk janë publikuar fare, duke kontrabanduar në zyrën e Durmishit vlera fiktive dhe të rrejshme. Derisa në Ministrinë e Liburn Aliut është instaluar një anarki totale financiare dhe keqpërdorim i thellë i buxhetit, me të cilat keqpërdorime duhet te merren seriozisht organet, zëvendësi i tij Hysen Durmishi, një ditë pasi i dha tender 1 milion Euro ish-shefit të tij, del dhe përmend emrin tim në media pa asnjë argument, vetëm e vetëm për të shpërqendruar vëmendjen nga skandalet dhe aferat e tij korruptive”, ka shkruar Lekaj.

Në fillim të muajit qershor, KOHA raportoi për procedurë të pazakontë dhe të dyshimtë prokurimi, që është zbatuar tre vjet më parë në Ministrinë e Infrastrukturës në tenderin “Mirëmbajtja e urave në rrugët nacionale dhe regjionale të Kosovës 2017-2019”.