Arbëri

Nazim Sahiti shkarkohet nga pozita e drejtorit të Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës

Nazim Sahiti, është shkarkuar nga pozita e drejtorit të Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, kanë bërë të ditur burime të KOHËS. Në vend të tij është caktuar Musli Salihu.

Sahiti ishte kthyer në këtë post nga Gjykata e Apelit, në fillim të vitit, tre vjet pas degradimit që i ishte bërë në tetor të vitit 2018, duke u transferuar në pozitën e zyrtarit të Departamentit për Kufij.

Atë kohë, ish-drejtori i Policisë, Rashit Qalaj, e pati arsyetuar ndryshimin pas “përfoljeve” se kjo drejtori është zhytur në krim e korrupsion. Sahiti në atë kohë ishte përfshirë edhe në rrahjen e ish-drejtorit të PTK-së, Agron Mustafa.

Sahiti pati dërguar rastin në Gjykatën Themelore që i dha të drejtë, por Policia nuk e kishte kthyer në detyrë pasi ishte ankuar në Gjykatën e Apelit. Apeli pati vendosur në anën e Sahitit.

Policia ka konfirmuar se Nazim Sahiti tash do të jetë këshilltar në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prishtinë.

Policia është detyruar ta kthejë Sahitin në pozitë dhe që t’ia paguajë diferencën e pagës dhe beneficionet prej 761 euro të pagës neto, dhe detyrohet t’ia paguajë 86 euro në trust, e rreth 60 euro në Administratën Tatimore të Kosovës, me kamatë 8 për qind për shtatë ditë nga marrja e aktgjykimit, nën kërcënim të përmbarimit.