Numër i lartë i zyrtarëve policorë nën hetime

28 shkurt 2017 19:17

671 zyrtarë policorë, në mesin e tyre edhe pjesëtarë me grada të larta, janë në hetime, por kryeshefi ekzekutiv i inspektoratit policor, Hilmi Mehmeti, nuk ka dashur të flasë me emra, raporton KTV.

Ai, para komisionit për Punë të Brendshme, tha se nën hetime ka edhe major, por shtoi se nuk mund të flasë më shumë për të mos dëmtuar procesin e hetimeve. Mehmeti deklaroi se në vitin 2016 janë arrestuar 69 pjesëtarë policorë, shifër kjo për 300 për qind më e lartë se një vit më herët.

Ai shtoi se në Inspektoratin e Policisë së Kosovës janë duke u hetuar dy zyrtarë, të cilët janë të suspenduar dhe vazhdojnë të marrin pagat e tyre në këtë institucion.

Për kryetarin e komisionit, Daut Haradinaj, numri i policëve të arrestuar është shqetësues, por ka kërkuar që ata policë që kanë dalë të pafajshëm të kthehen në punë.

Numri i lartë i policëve të arrestuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare ka bërë që deputeti Zafir Berisha të mos mburret me uniformat blu. Komisioni shqyrtoi edhe raportin me amendamente për Projektligjin për legalizimin e armëve dhe dorëzimin e armëve të vogla dhe të lehta, municionit dhe mjeteve eksplozive.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme