Arbëri

Gërvalla: Kosova është partnere e qëndrueshme në luftë kundër terrorizmit

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se Kosova është partnere e qëndrueshme në luftë kundër terrorizmit.

Gërvalla po merr pjesë në takimin e Koalicionit Global kundër DAESH-it, që po zhvillohet në Romë të Italisë. Në këtë takim po merr pjesë sekretari i shtetit amerikan Anthony Blinken, ministri i Jashtëm i Italisë, Luigi Di Maio, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell. Po ashtu po marrin pjesë zëvendëskryeministra e ministra nga e gjithë bota.

Gërvalla gjatë fjalimit të saj ka thënë se është pjesë e identitetit të Kosovës harmonia dhe toleranca ndërfetare.

“Si një vend i vogël me vetëm 1.9 milion banorë, jemi krenarë që jemi një partner i qëndrueshëm në këtë koalicion global. Kosova është një vend me një popullsi kryesisht myslimane. Por harmonia dhe toleranca jonë ndërfetare janë pjesë e identitetit tonë që prej shekujsh. Të shohësh një kishë dhe një xhami që ndajnë të njëjtin oborr, në Kosovë nuk është asgjë e jashtëzakonshme”.

Gërvalla ka thënë se kur disa shtetas të Kosovës kishin nisur t’i bashkoheshin ISIS-it, institucionet e vendit kishin reaguar menjëherë. Ajo ka shpjeguar masat e ndërmarra për t’i mbajtur përgjegjës ata që kishin kryer krime në këtë drejtim. Në të njëjtën kohë ka theksuar edhe përkushtimin institucional për të riintegruar të gjithë të kthyerit.

“Jemi duke u përkujdesur posaçërisht për gratë dhe fëmijët e tyre. Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i kthyer ata në një jetë normale, të shpresojmë, edhe një të ardhme të lumtur për ta. Ne jo vetëm që kemi arritur t’i kthejmë fëmijët në shkolla, por ofrojmë gjithashtu mbështetje edhe psikologjike për ta dhe për nënat e tyre. Për më tepër kemi krijuar programe për de-radikalizim, në të cilat përfshihen madje edhe personat që ndodhen në arrest”, ka thënë ajo.

Kryediplomatja kosovare ka theksuar gjithashtu kontributin përmes prezencës së trupave kosovare në këtë koalicion.

“Jemi shumë krenarë të kontribuojmë në këtë koalicion që nga ky vit me një numër simbolik të trupave tona. Falënderojmë Kuvajtin për mikpritjen dhe trupat amerikane për mbështetjen e ofruar për ushtarët tanë të guximshëm, si në rrafshin profesional ashtu edhe në atë personal”, ka shtuar ndër të tjera Gërvalla.

Gërvalla ka siguruar që Kosova do të mbetet një partner serioz i koalicionit.