Arbëri

Të gjitha partitë parlamentare kundër kompromiseve në marrëveshjen me Serbinë

Descriptive Text

Të gjitha partitë parlamentare në Kuvendin e Kosovës janë njëzëri për të paktën një çështje në dialogun me Serbinë – mospranimi i asnjë kompromisi. Pushteti e opozita në vend kanë thënë se Kosova s’duhet të bëjë asnjë marrëveshje që mund të jetë në dëm të vendit. Sipas tyre, Kosova ka bërë mjaftueshëm kompromise me pranimin e Pakos së Ahtisaarit.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka thënë se Qeveria Kurti në kuadër të dialogut me Serbinë nuk do të pranojë asgjë që i sjell dëme vendit.

“Na është thënë vazhdimisht neve që kompromisi i fundit dhe më i dhimbshëm është Pakoja e Ahtisarit. Por për fat të keq, edhe pse ka ekzistuar një opinion i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që i dha të drejtë pavarësisë së Kosovës, klasa e papërgjegjshme politike iu nënshtruar një lloj procesi të ri, i cili stagnoi çdo gjë në Kosovë. Çdo gjë tash është peng i vullnetit, apo miratimit të Serbisë, sa i përket Kosovës. Kemi ngecje të njohjeve që ishin duke shkuar shumë mirë. Prandaj ne nuk mund të pranojmë që të vazhdojmë me të njëjtën frymë që i solli pasoja Kosovës. Është një urgjencë dhe domosdoshmëri që të rishikohen konditat e këtij dialogu dhe të fillojmë ndryshe. Neve na obligon një rezolutë e Kuvendit të Kosovës, e cila është miratuar më 15 mars të vitit 2020, në të cilat janë përcaktuar vijat e kuqe, kornizat që Qeveria e Kosovës duhet t’i përmbahet rreptësishtë. Karakterit unitar të shtetit, funksionimit të brendshëm institucional, integriteti institucional, territori dhe rendi kushtetues. Asnjë qeveri nuk e ka legjitimitetin t’i vë në pikëpyetje këto”, ka thënë ai.

Vëmendje të madhe në këtë çështje kërkon edhe ish-anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, i cili tregon tri parimet që Kosova nuk duhet t’i negociojë në kuadër të dialogut.

“Kosova duhet ta ruajë sovranitetin e vet, funksionimin e brendshëm dhe çdo marrëveshje të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe marrëveshja të ketë pjesë të saj njohjen reciproke. Pra Kosova ta fitojë ulësen në OKB dhe njohjen nga Serbia. Çdo temë tjetër që diskutohet sot nuk është në interes të qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar Gjoshi.

Ndërsa, anëtarja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Teuta Sahatqija ka thënë se çfarëdo kompromisi që do të bëhej do të ishte i dëmshëm për Kosovën.

“Në dialogjet e shumta me ndërkombëtarët është thënë që dokumenti i Ahtisarit është maksimumi i kompromiseve që Kosova po i jep dhe pas këtij dokumenti do të njihet prej të gjitha shteteve të Evropës dhe do të jetë pjesë e kombeve të bashkuara e të tjera. Prandaj mendoj që Kosova deri më tash ka bërë kompromise maksimale dhe çfarëdo kompromisi që kërkohet prej Kosovës do të kishte qenë i dëmshëm prej mbarëvajtjen dhe funksionalitetin e Kosovës”, është shprehur ajo.

Në linjë të njëjtë është edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj.

“Kompromis i dhimbshëm është edhe Pako e Ahtisarit dhe ne nuk guxojmë të shkojmë përtej kësaj dhe të kërkojmë kompromis prapë nga pala kosovare. Nuk di se çka mendojnë, por Kosova ka bërë mjaft kompromise dhe ne duhet të mendojmë për veten tonë duke konsultuar edhe me miqtë tanë ndërkombëtarë”, deklaron ai.

Së fundmi arritjen e një kompromisi në kuadër të marrëveshjes finale Kosovë-Serbi e kërkoi edhe presidenti francez, Emanuel Macron, me rastin e pritjes së kryeministrit Albin Kurti.