Arbëri

Gjonbalaj: Ujmani gjithmonë ka qenë nën menaxhim të Kosovës, Serbia s’ka gisht në të

Avdi Gjonbalaj, ish-zyrtar i lartë i “Hidroekonomisë”, ka thënë se studimi i fizibilitetit, i kryer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për liqenin e Ujmanit, për menaxhim apo koordinim për menaxhim të këtij liqeni nga Kosova dhe Serbia, ka qenë i panevojshëm. Sipas tij, kjo sepse Ujmani që nga krijimi e deri tash ka qenë gjithmonë në kompetencë të Kosovës dhe se Serbia s’ka gisht në të.

Ai ka thënë se s’është i fascinuar as me cilësinë e studimit të SHBA-së e as me propozimet e dhëna.

“Sistemi është i dedikuar për t’i plotësuar nevojat e Kosovës në industri, për furnizim të banorëve. S’di pse çka duhet të ketë aty, kur Serbia s’e përdor për asnjë gjë”, ka thënë ai në emisionin “Desku” në KTV ku ka shtuar se disa nga propozimet tashmë janë në funksion nga autoritetet e Kosovës.

Duke folur për të dhënat që nga fillimi i projektit të Ujmanit, Gjonbalaj ka thënë se “Kosova ka financuar, ka dhenë mjete pa kthesë dhe komplet e ka udhëhequr projektin që nga fillimi e deri tash”.

Sipas tij, Serbia vetëm ka dhënë vetëm pëlqimin me ratifikim të kontratës më 1972.