Arbëri

Komunat përballen me mungesë vaksinash, Vitia premton kontingjent të ri javën tjetër

Descriptive Text

Jo të gjithë qytetarët që mund ta caktojnë një termin për t’u vaksinuar kundër COVID-19, mund të imunizohen. Kjo për shkak të mungesës së vaksinave në disa qendra komunale të Kosovës. Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Gjilanit ka thënë se janë detyruar që ta reduktojnë numrin e personave që vaksinojnë si shkak i mungesës së tyre. Mungesa e vaksinave shkaktoi përplasje edhe në Kuvendin e Kosovës mes opozitës dhe ministrit të Shëndetësisë

Vaksinat anti-COVID që Kosova ka në dispozicion janë duke shkuar drejt fundit. Disa nga qendrat e vaksinimit në komuna janë duke u përballur me mungesë të dozave. Gjilani është njëra prej tyre.

Drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë, Selami Xhemaili, përmes telefonit ka thënë se kërkesa për t’u vaksinuar është e madhe, porse nuk kanë aq vaksina në dispozicion. Sipas tij, ata janë duke vaksinuar vetëm persona për dozën e dytë dhe rastet urgjente.

E vetëm edhe 600 doza të vaksinës ka në dispozicion Komuna e Deçanit, e cila deri tash ka arritur të vaksinojë rreth 2 mijë e 700 persona. Në këtë komunë, ku procesi i imunizimit po zhvillohet në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, brenda ditës vaksinohen me vaksinat “Pfizer” dhe “AstraZeneca” rreth 100 persona. Kështu ka thënë koordinatorja e cilësisë për procesin e vaksinimit në Deçan, Florenta Gjukaj, e cila tha se i gjithë procesi i vaksinimit po shkon mirë.

“Procesi po shkon mjaft mirë, qytetarët kanë treguar edukatë të jashtëzakonshme. Varësisht nga dozat dhe caktimi i terminëve që bëhet përmes platformës online E-Kosova bëhet edhe planifikimi i dozave brenda ditës, që jepen mesatarisht 100 doza në ditë deri tani dhe në bashkëpunim të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë jemi në planifikim të dozave. Deri tani, 2.700 qytetarë të Komunës së Deçanit janë vaksinuar me ‘Pfizer’, ‘AstraZeneca’ dhe dozën e dytë për ata që veçse janë vaksinuar me dozën e parë”, u shpreh ajo.

Mungesa e vaksinave është bërë shkak i debatit në mes të deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu, e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, në seancën e Kuvendit të Kosovës. Haxhiu e ka pyetur ministrin e Shëndetësisë lidhur me blerjen e 1.2 milionë vaksinave “Pfizer”, duke shtuar se nuk e ka treguar çmimin. Ai e ka akuzuar Vitinë se i ka gënjyer qytetarët për vaksinim masiv.

“MSH-ja në stok ka më pak se 12 mijë vaksina. Kur ende nuk e kemi asnjë vaksinë të ‘Pfizerit’. Pse keni gënjyer dhe mashtruar qytetarët për vaksinim masiv? Si mund të llogaritet të përfundojë vaksinimi kur ato të kontraktuarat nuk mjaftojnë për vaksinim të 60 për qind të popullatës?”, ka thënë ai.

Ministri Arben Vitia ka thënë se është e vërtetë që ka nënshkruar kontratën dhe këtë deklarim e kam bërë pasi janë dakorduar me kompaninë.

“Unë jam ministër i Shëndetësisë dhe detyra primare është kujdesi për shëndetin e qytetarëve, dhe asnjë presion nuk do të më devijoj nga ky mision, as ofendimet tuaja zoti Haxhiu. Me keqardhje nuk mund t’ju tregoj për çmimin, por ashtu si herëve të tjera do t’ju befasoj vetëm për të mirë”, ka thënë ai.

Vitia tutje ka thënë se javën tjetër pritet të arrijë një kontingjent me vaksina nga kompania “Pfizer”. Që nga muaji mars, kur në Kosovë ka filluar procesi i vaksinimit, kundër COVID-19, rreth 150 mijë qytetarë kanë arritur të vaksinohen.