Arbëri

Suedia e zhgënjyer me gjendjen e pyjeve në Kosovë

(KosovaPress) - Qeveria e Kosovës po synon që gjatë vitit të aprovojë ligjin e ri të pyjeve dhe strategjinë për zhvillimit të pylltarisë 2021-2030. Suedia e cila ka mbështetur për kohë të gjatë këtë sektor, është e zhgënjyer me Kosovën dhe regresin që është shënuar në gjendjen e pylltarisë.

Në diskutimin mbi ri-shikimin e sektorit të pylltarisë në Kosovë, të organizuar nga Ministria e Buqësisë dhe Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara, u theksua se në vend është degraduar ekosistemi i pyjeve. Shkatërrimi i pyjeve po ndikon në cilësinë e ajrit, zhvillimin ekonomik dhe uljeve e vendeve të punës.

Ministri u Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci deklaroi se pyjet e Kosovës paraqesin interes strategjik dhe si e tillë duhet të trajtohet me prioritet. Ai u zotua që janë të përkushtuar për avancim të legjislacionit dhe mbrojtjen e pyjeve.

"Kjo ndikon në krijimin e vendeve të punës, sigurimin e të ardhurave për familjen, posaçërisht të atyre që jetojnë në këto zona, sigurimin e masës drunore për bioenergji dhe sigurimin e lëndës së parë për përpunimin e drurit. Ne si qeveri që në fillim të këtij mandati kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm dhe të domosdoshëm që politikat e reja dhe korniza ligjore e këtij sektori të një rëndësie të veçantë të vendoset lartë në prioritet tona. Në planin e punës të ministrisë, në planin e qeverisë është planifikuar që këtë vit qeveria të aprovoj dokumentin e politikave sektoriale, strategjinë për zhvillimit të pylltarisë 2021-2030 përmes së cilës përcaktohen kahet e zhvillimit të sektorit për 10 vitet e ardhshme”, tha ai.

Ai u zotua se gjatë vitit do të aprovohet edhe ligji i ri për pyjet.

“Këtë vit planifikojmë të aprovojmë ligjin e ri për pyjet, që është pjesë e programit legjislativ në këtë vit në kuadër të programit të qeverisë. Ky ligj definon qartë përgjegjësitë dhe kompetencat për ruajtjen dhe menaxhimin e pyjeve, reformon strukturën e menaxhimit të pyjeve dhe tokave pyjore. Rregullon mundësinë e shfrytëzimit pyjeve ujore dhe drurore, rrit transparencën dhe llogaridhënien e menaxhimit të pyjeve publike dhe private”, ka shtuar ai.

Se Kosova po përballet me sfida të mëdha të degradimit të ambientit, ujit e ajrit, e tha edhe ambasadorja e Suedisë, Karin Hernmarck Ahliny. Sipas saj, qeveria duhet të ndërmarrë hapa për të parandaluar këtë gjendje.

"Degradimi i pyjeve tashmë po ndikon në cilësinë e ajrit , po ndikon në sasinë e ujit dhe në efektet dhe kësisoj Kosova do të humb ekosistemet pyjore, do të zvogëloj sasinë e ujit dhe do të përballet me fatkeqësi natyrore. Të gjitha këto fatkeqësi natyrore që ndërlidhen me motin, janë të ndërlidhura dhe ekziston një projekt që vizualizon rritjen e temperaturave. Që nga viti 1901 ka pasur ndryshime të temperaturës dhe çdo vit ka pasur rritje të temperaturës së ajrit në Kosovë. Suedia e ka mbështetur sektorin e pylltarisë në Kosovë. Por, ne jemi të zhgënjyer se nuk ka pasur sukses dhe progres në terren. Miratimi i ligjit të ri të pylltarisë dhe strategjisë është me rëndësi, parakusht shumë i rëndësishëm në procesin në këtë sektor”, u shpreh ajo.

Koordinatorja për zhvillim e OKB-së në Kosovë, Ulrika Richardson shtoi se pylltaria nuk është vetëm një sektor, por ajri i gjelbër për vendin. Ajo tha se është shokuese kur shihen deponitë ilegale në vende të ndryshme.

"Vlera e pyjeve nuk mund të nënçmohet, kështu që përpjekja për të freskuar strategjinë, për ta bërë këtë mënyrë shumë-sektoriale, shumë dimensionale, lokale, duke shikuar edhe marrëdhëniet mes zonave urbane dhe atyre rurale. Ne si Kombet e Bashkuara e mirëpresim kontributin... Ne shokohemi kur shohim deponi ilegale në pyje dhe pikëllohemi kur shohim këto kur e dimë që ligji thotë diçka tjetër”, theksoi ajo.

Ajo ka rekomanduar, Qeverinë e Kosovës që mjedisin dhe resurseve të vendos lartë në agjendë. Sipas regjistrimit të fundit që është bërë në vitin 2012, Kosova ka mbi 400 mijë hektarë pyje.