SHBA angazhohet që Ushtria e Kosovës të kalojë në Kuvend Foto: Koha / ilustrim

SHBA angazhohet që Ushtria e Kosovës të kalojë në Kuvend

14 shkurt 2017 15:34

Departamenti Amerikan i Shtetit mbështet transformimin e FSK-së në FAK dhe angazhohet që ky proces të jetë i mbështetur nga të gjitha palët në Parlamentin e Kosovës.

Kështu ka deklaruar kreu i delegacionit nga Departamenti amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, i cili ka zhvilluar një takim me ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, ku u bisedua për zhvillimet politike dhe të sigurisë në vend, procesin e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës, si dhe rreth bashkëpunimit dypalësh të Kosovës me mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë.

Matthew Palmerin, drejtor për Çështje të Evropës Qendrore dhe Jugore, Demolli e njoftoi mbi situatën e sigurisë në vend, zhvillimin e kapaciteteve të FSK-së dhe zhvillimet rreth procesit të saj të transformimit, planet e Ministrisë dhe Qeverisë lidhur me procesin e transformimit, gatishmërinë për transparencë në këtë proces si dhe domosdoshmërinë e koordinimit me NATO-n, partnerët strategjikë dhe hapat e mëtejmë të rrumbullakimit të këtij procesi mjaft të rëndësishëm të shtet ndërtimit të Kosovës.

Demolli tha se “Kosova synon ndërtimin e një force shumetnike, mbrojtëse dhe e gatshme për t’i kontribuar paqes në rajon dhe më gjerë”.

“Aktualisht Republika e Kosovës është duke u përpjekur seriozisht që të zhvillojë dhe konsolidojë mekanizmat e saj të sigurisë për të ardhmen, gjithnjë bazuar në konsensus politik të brendshëm dhe në koordinim me faktorin ndërkombëtar”, tha Demolli.

Kurse, Palmer nga ana e tij shprehu mbështetje të plotë për rrugën euroatlantike të Kosovës.

Ai tha se “SHBA-ja mbështet transformimin e FSK-së në FAK dhe angazhohet që ky proces të jetë i mbështetur nga të gjitha palët në Parlamentin e Kosovës”. 

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme