Arbëri

Një nënshkrim i Lladrovcit rrezikon ta fusë Komunën e Drenasit deri në 4 milionë euro borxh

Një kontratë që Ramiz Lladrovci e ka firmosur me kompaninë “IP-Kos” rrezikon ta fusë në borxh Komunën e Drenasit në rreth 4 milionë euro. Me të, kompanisë i është dhënë në shfrytëzim një pronë, për të cilën Gjykata e Apelit ia ka njohur të drejtën e kompensimit familjes Osmani. Gjykata Themelore ka konfirmuar se, aktualisht, në proces është vlerësimi i kësaj paluajtshmërie, që ndodhet në pjesën më të frekuentuar të Drenasit

Pjesën më të madhe të një prone, që tash është kthyer në kantier ndërtimi, 45 vjet më parë Komuna e Drenasit ia kishte marrë babait të Imer Osmanit. Kompensimi për të nuk është bërë kurrë.

Imeri, burrë në moshë të tretë, tregon se prej atëherë s’kanë pushuar së kërkuari të drejtën mbi këtë tokë.

“Është gjenerata e tretë që merret me këtë pronë dhe tash Komuna padrejtësisht në mënyrë arbitrare ka vendosur ta tjetërsojë”, thotë ai. “E ka bërë jashtëligjshëm”.

Në më shumë se katër dekada, tri gjenerata të familjes Osmani iniciuan shumë beteja gjyqësore për pronën rreth 1.6-hektarëshe, e cila ndodhet në pjesën më të frekuentuar të qytetit.

Bazuar në një procesverbal të një seance publike, e ndodhur në shkurt të 1977-s, vërtetohet se babai i Imerit, tashmë i ndjeri Ali Osmani, bashkë me të vëllain Zenel Osmani dhe kushëririn Habib Osmani kishin bërë propozim për kompensim, porse nuk ishte arritur marrëveshje për lartësinë e kompensimit të kësaj toke që ishte shpronësuar një vit më herët, nëpërmjet një vendimi të Drejtorisë për Ekonomi dhe Punë Komunale të Komunës së Gllogocit. Lënda i ishte proceduar Gjykatës Komunale dhe me një vendim të marrë në tetor të vitit 1987 ishte vërtetuar se Ali Osmani dhe të tjerët kishin tërhequr propozimin, me kusht që nëse komuna hyn në posedim, të ushtrohet propozim i ri.

Pas luftës, trashëgimtarët e Aliut kishin kërkuar deeksproprijimin e pronës, por gjykata nuk ua kishte mohuar këtë mundësi.

Më pas, në Gjykatën Themelore kishin ushtruar propozim kundër Komunës së Drenasit për caktimin e kompensimit të patundshmërisë së shpronësuar.

Në tetorin e 2014-s, Themelorja e kishte refuzuar si të paafatshëm propozimin, nën arsyetimin se sipas Ligjit për shpronësim, ankesa kundër vendimit përfundimtar për shpronësim ushtrohet në afat prej 30 ditësh. Ajo kishte theksuar se vendimi për shpronësim ishte marrë më 1976, ndërsa propozimi është ushtruar në vitin 2014.

Por familja Osmani betejën kryesore ligjore e ka fituar më 2015. Atë vit, Gjykata e Apelit e rrëzoi vendimin e Themelores dhe e urdhëroi ta bënte vlerësimin.

“Meqenëse e drejta e pronësisë është njëra ndër vlerat e mbrojtura me Kushtetutën e Kosovës, propozuesit kanë të drejtë të kërkojnë kompensimin për patundshmërinë e marrë”, thuhet në arsyetimin e aktvendimit të Apelit. “Me këtë rast duhet pasur parasysh faktin vendimtar se kërkesa për caktimin e kompensimit të drejtë për pasurinë e shpronësuar nuk parashkruhet”.

Pas kësaj, Themelorja ka nisur të merret me pronën, që trajtohet në dy raste të ndara. Për njërin nga to, treguan se gjyqtari i çështjes ka mbajtur katër seanca, si dhe ka dalë në vendshikim me ekspertë të gjeodezisë dhe vlerësimit të paluajtshmërisë.

“Eksperti i gjeodezisë ka përpiluar ekspertizën dhe ka qenë prezent në seancë për sqarim, por i autorizuari i paditësve ka pasur vërejtje në ekspertizën e tij dhe e njëjta i është kthyer në plotësim. Tani ekspertiza e gjeodezisë është plotësuar dhe është caktuar seanca e radhës, për të cilën palëve dhe ekspertit të gjeodezisë iu kanë dërguar ftesat”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore. “Procedura lidhur me vlerësimin e paluajtshmërisë do të vazhdojë pasi që palët të deklarohen në seancë se a pajtohen me ekspertizën e plotësuar të gjeodezisë apo nuk pajtohen, pastaj të bëhet vlerësimi nga eksperti për vlerësimin e paluajtshmërisë për të vazhduar tutje”.

Sipas kërkesës së para gjashtë vjetëve, një ar tokë duhet të dëmshpërblehet me 25 mijë euro. Për totalin e pronës i bie 4 milionë euro, shumë kjo sa buxheti i tërësishëm vjetor që Komuna ka për shpenzime kapitale.

Borxhi nga ky proces do t’i ngelet barrë Komunës, meqë nuk do të ketë mundësi për kthim prone.

Kjo sepse, në nëntorin e vjetëm, pas një vendimi të Kuvendit Komunal, kryetari Ramiz Lladrovci firmosi kontratë me përfaqësuesin e kompanisë “IP-Kos”, Burim Leci, nëpërmjet së cilës parcelat iu dhanë në shfrytëzim për 99 vjet këtij biznesi privat.

Në thirrjen publike për dhënie të kësaj prone, por edhe të gjashtë të tjerave, bizneseve u kërkohej ta kishin edhe garancinë bankare prej 30 për qind të vlerës së investimit në projektin me të cilin do të konkurronin.

KOHA ka gjetur se këtë dokument nuk e kishin pjesa më e madhe e të shpërblyerve nga Komuna që e drejton Lladrovci.

Kompania “IP Kos” ishte shpërblyer me një pronë në Orllat, por edhe me këtë në Drenas, që Komuna e ka të regjistruar si pronë komunale. Ajo ndodhet në pjesën më të frekuentuar të qytetit, fare pak metra nga rrethi që e lidh qendrën, dhe rrugët për në Prishtinë e në Skenderaj. Për asnjërin projekt kompania fituese nuk kishte garanci bankare, por siguri të ekzekutimit, dokument të lëshuar nga një kompani sigurimi.

Në momentin e vendimmarrjes në Kuvendin Komunal, asamblistët kishin votuar qorras, meqë dosjet që përmbante vlerësimin e projekteve konkurrente ishin të palexueshme.

“Unë s’po muj me e lexu dhe e besoj që plot kolegë s’po mujnë me e lexu. Materiali është i palexueshëm komplet”, ishte ankuar asamblisti Petrit Sinani.

Në Komunë kanë pasur një justifikim edhe për këtë.

“Për arsye teknike, disa nga materialet nuk kanë qenë të lexueshme”, thuhet në përgjigjen e Komunës.

Në dosjet e shlyera ndodhej edhe dorëshkrimi i dy prej 5 anëtarëve të komisionit, të cilët konstatonin se 4 prej 5 fituesve të pronave nuk i përmbushnin kriteret. KOHA e ka siguruar këtë dokument, pasi Komuna ka siguruar qasje të pjesshme në dosjet që lidhen me këtë proces të dhënies në shfrytëzim të pronave.

Prona që kishte zgjuar më së shumti interes për t’u marrë me qira për 99 vjet, është kjo në hyrje të qytetit të Drenasit.

Ishin gjashtë ofertues për parcelën që i është dhënë kompanisë “IP Kos”, e cila kishte konkurruar me projektin për ngritjen e një pompe karburantesh. Projekti përmban zotimin për punësimin e 120 qytetarëve.

Pavarësisht verdiktit të Gjykatës së Apelit dhe procesit që po zhvillohet në Themelore, në Komunën e Drenasit nuk e njohin si kontest çështjen e kompensimit të familjes Osmani për pjesën më të madhe të pronës, që i është dhënë në shfrytëzim kompanisë “IP-Kos”.

“Procedura e shpronësimit është kryer gjatë viteve 76/77 dhe rrjedhimisht edhe procedura e kompensimit është zhvilluar sipas ligjit të shpronësimit/eksproprijimit të asaj periudhe”, thuhet në një përgjigje të Komunës.

Dëshmitë për këtë kompensim, Komuna nuk ia ofroi KOHËS.

E me gjithë kontestin, “IP-Kos” ka rindezur makineritë, pas pezullimit të punëve që muaj më herët i kishte nisur pa e siguruar lejen. Në kompani kanë refuzuar të flasin, por burime kanë treguar se lejendërtimi tek tash kanë marrë nga Komuna. Aty do të ndërtojnë pompë derivatesh, market dhe restorant.

Imer Osmani insiston që në atë pronë nuk duhet ndërtuar tash për tash.

“Ne presim me u ndalë punët, derisa të përfundojë kontesti gjyqësor”, thotë ai. “Me përfundimin e kontestit gjyqësor, nëse Komuna është në gjendje me i pagu paratë, vlerën e cila është meritore, le ta paguajë, ose le ta kthejë pronën”.

Për të mërkurën, familja Osmani ka paralajmëruar protestë pranë pronës dhe ka planifikuar ta bllokojë për pak minuta edhe magjistralen, në të cilën prona ka qasje.

Por Komuna ka shprehur zotimin për të ndërmarrë të gjitha veprimet në funksion të sigurimit të kushteve për punë kompanisë “IP-Kos”, së cilës ia ka dhënë në shfrytëzim afatgjatë edhe një pronë tjetër, krahas kësaj në Drenas.