Arbëri

Qeveria thotë se çështjen e të pagjeturve s’e trajton në baza etnike

Foto: Koha / ilustrim

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Kosova ka refuzuar kërkesën që të gërmohet në disa lokacione në Kosovë, ku Serbia dyshon se mund të jenë varrosur serbë të zhdukur gjatë luftës. Qeveria e Kosovës thotë se rastet e personave të pagjetur nuk i trajton mbi bazën e etnive, por të informacioneve që sigurohen, të cilat sipas saj trajtohen me përgjegjësi të lartë. Në anën tjetër, Fondi për të Drejtën Humanitare vlerëson se pala kosovare duhet të bëjë maksimumin që vetë t’i gjejë lokacionet e varrezave ku dyshohet që mund të ketë trupa të serbëve

Klina, Istogu, Drenasi, Gjakova e Suhareka janë disa nga komunat ku Serbia dyshon se gjenden të varrosur trupa të serbëve të zhdukur nga lufta në Kosovë. Nisjen e gërmimeve në këto lokacione, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se ia refuzoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takimin e kësaj jave në Bruksel.

Por, Qeveria e Kosovës thotë se prioritet i saj është zgjidhja e çështjes së të pagjeturve, pa dallim etnie.

“Rastet e personave të zhdukur nuk trajtohen nga institucionet e Republikës së Kosovës mbi baza etnike, por në bazë të informatave që sigurohen. Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për të vazhduar punën duke i dhënë prioritet ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së të gjithë të zhdukurve dhunshëm gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe vendosjen e drejtësisë”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë për KOHËN.

Ekzekutivi ka shtuar se institucionet i trajtojnë me përgjegjësi të lartë të gjitha informacionet dhe dëshmitë e paraqitura nga kushdo për fatin e të pagjeturve.

Gërmimet dhe gjetjen e trupave të personave të zhdukur, Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë e sheh si tejet të rëndësishme për Kosovën.

Kjo, sipas drejtorit të këtij fondi, Bekim Blakaj, është edhe pozitive për palën kosovare.

“Nëse ka informata për lokacione të caktuara, pala kosovare është e obliguar që të gërmojë në ato lokacione dhe t’i ekshumojë varrezat nëse gjenden. Por përveç kësaj, pala kosovare duhet të bëjë maksimumin që vetë t’i gjejë lokacionet e varrezave ku dyshohet që mund të ketë trupa të serbëve të cilët janë të raportuar si të zhdukur”, vlerëson Blakaj.

Por ai ka shtuar se është fatkeqësi që dy shtetet vazhdojnë t’i trajtojnë të pagjeturit si çështje politike e jo humanitare.

“Gjetja e trupave nuk adreson asnjë përgjegjësi penale në atë moment. Është me rëndësi në fakt që të gjenden trupat e personave të zhdukur pa marrë parasysh se cilës etni i takojnë ata, dhe kush mund të ketë qenë kryerësi i krimeve ndaj tyre. Pra, ky do të ishte një hap pozitiv për Kosovën”, ka shtuar Blakaj.

Në takimin e 15 qershorit në Bruksel, ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit, palët kanë thënë se është diskutuar çështja e të pagjeturve. Presidenti serb ka thënë se aty ka kërkuar që gërmimet të realizohen në dy lokacione në Klinë, një në Istog, një në Llapushnik, Mejë të Gjakovës dhe në Suharekë. Por kjo kërkesë, sipas Vuçiqit, është refuzuar nga kryeministri Kurti. Ky i fundit, kërkesën e Vuçiqit nuk e ka përmendur në paraqitjen e tij për media pas përfundimit të takimit.

Mbi 1 mijë e 600 persona rezultojnë akoma si të zhdukur nga lufta e fundit. Prej tyre, rreth 420 persona janë serbë.