Arbëri

Pushteti s’dëgjon opozitën e shoqërinë civile, nis votimin për komisionerin për Informim

Pushteti ka shpërfillur edhe një herë reagimet e opozitës dhe të shoqërisë civile që procesi i përzgjedhjes së komisionerit për Informim dhe Privatësi të kthehet në pikën zero. Nënkryetari i Komisionit Parlamentar për Siguri, Enver Dugolli, para deputetëve ka prezantuar emrat e Enver Bujarit, Krenare Sogojeva-Dermaku dhe Edon Myftari për zgjedhje. Emri i Bujarit, i cili ka marrë më së shumti pikë nga Komisioni, edhe pse në të kaluarën emri i tij nuk ishte rekomanduar nga Ambasada e Britanisë, ka nxitur reagime të shoqërisë civile qe sa ditë. Megjithatë, pavarësisht thirrjeve të tyre, të enjten ka dalë në votim lista për përzgjedhjen e komisionerit.

“Procesi i zgjedhjes së komisionerit ka dështuar tri herë për shkak të paaftësisë së shumicës për të përfunduar këtë proces. Në cilësinë e nënkryetarit ju njoftoj se procesi i përzgjedhjes është bërë në transparencë të plotë. Gjatë gjithë kohës kemi treguar transparencë të plotë për të gjithë të interesuarit për këtë proces. Grupi i Lëvizjes Vetëvendosjes do të përkrahë këtë proces”, është shprehur Dugolli në emër të VV-së.

Në anën tjetër, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica, e ka quajtur kundërligjor, të kompromentuar e të deligjitimuar procesin e përzgjedhjes.

“I kundërshtuar nga shoqëria civile e i ardhur nga bashkëpunimi i LVV-së dhe Listës Serbe. Janë bërë bashkë këto dy subjekte për të dhunuar demokracinë në Kosovë. Një institucion i pavarur po shndërrohet në institucion të varur nga pushteti”, ka thënë ai në seancë. “Ky proces duhet të kthehet në pikën zero. Ky vendim është në kundërshtim me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale. Nuk ka asnjë logjikë juridike që komisioni e ka emëruar vetveten për të vlerësuar kandidatët. Janë gjithsej tri tentativa të dështuara, në të tri këto është shndërruar në panel përzgjedhës por me një dallim, nuk e ka caktuar vetën si përzgjedhës. E treta, kundërshtimi nga shoqëria civile. Shtatë organizata e kanë kundërshtuar këtë proces duke e shprehur shqetësimin e tyre për të përfshirë vetën komisioni si panel përzgjedhës. Mendoj që e vetmja mundësi është që procesi të kthehet në fillim dhe sa më shpejt të hapet konkursi.”

Akuza për këtë proces ka pasur edhe nga partitë tjera opozitare, LDK-ja e AAK-ja.

“Të nderuar kolegë deputetë, besoj që të gjithë e keni pa reagimin e shoqërisë civile, tani falë tyre e dimë se si në fakt ka ndodhur ky proces. Gjithashtu e dimë se ka pasur edhe tri tentativa, për shkak se asnjë nga kandidatët nuk ka arritur të marrë votat e mjaftueshme. Tre konkurset e kaluara kanë qenë të mbikëqyrura nga Ambasada e Britanisë. Tentativa e katërt është pa mbikëqyrjen e tyre, kjo është mbikëqyrur nga Lëvizja Vetëvendosje. Është me rëndësi të thuhet se kandidati më i poentuar, sipas deputetëve të LVV, nuk ka arritur t’i ketë pikët për të ardhur në Kuvend kur procesi ka qenë i mbikëqyrur nga britanikët, i njëjti edhe tri herë ka CV të ndryshme dhe nuk ka asnjë dokument që e argumenton përvojën e punës. Kështu, shoqëria civile e quan të pakualifikueshëm”, ka thënë Hykmete Bajrami nga LDK-ja.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se nëse Bujari zgjidhet komisioner, atëherë “me të drejtë mund të themi se VV-ja e ka kapur shtetin”.

“Para jush do të numëroj disa parregullsi të evidentuara në këtë proces. Është kërkuar që në panel përzgjedhës është kërkuar të jetë vetëm nga një deputet i secilës parti, por me insistimin e LVV-së, me shumicë votash është vendosur që të gjithë anëtarët e komisionit të jenë pjesë e panelit përzgjedhës. Ju ftoj që kandidatin Enver Bujarin të mos e votoni sot, njëjtë siç ka kërkuar edhe shoqëria civile. Nëse ky kandidat votohet sot, me të drejtë themi se Lëvizja Vetëvendosje e ka kapë shtetin”, ka deklaruar ai.

Votimi është duke u bërë në proces të fshehtë. Për t’u zgjedhur komisioner, një kandidati i duhen së paku 61 vota. Opozita s’ka pranuar të jetë as pjesë e komisionit për procesin e votimit.