Arbëri

Hapja e negociatave me BE-në, Holanda “zbut” qëndrimin ndaj Shqipërisë

Shteti holandez ka zbutur qëndrimin e saj kundër hyrjes së Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Të mërkurën, Parlamenti i Holandës ka rënë dakord pro mbajtjes së Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë për hapjen e negociatave të shtetit shqiptar.

Procedura do të finalizohet nesër me votimin e mocioneve të mundshme të ngritura nga partitë apo grupet parlamentare.

“Qeveria holandeze është e kënaqur qe është krijuar një kuadër negociues i qartë dhe i qëndrueshëm për negociatat e pranimit midis BE-së dhe Shqipërisë. Qeveria pret me kënaqësi mbajtjen e të parës Konferencë Nder-Qeveritare si një nisje zyrtare e negociatave, një trajektore intensive në të cilën reformat në fushën e sundimit të ligjit, shtetit të së drejtës, luftës kundër krimit te organizuar dhe korrupsionit si dhe fuqizimit të mëtejshëm të institucioneve demokratike do të mbeten prioritete kyçe”, thuhet në njoftimin e qeverisë holandeze, raportojnë mediat në Shqipëri.

Qeveria holandeze ka rënë dakord me gjetjet e Komisionit Evropian, i cili në mars të vitit 2020 vendosi të hapë negociatat me Shqipërinë dhe të mbajë Konferencën e Parë Ndërqeveritare të 27 vendeve anëtare të BE-së me Shqipërinë, pasi të ishin plotësuar një serë kushtesh, kryesisht në fushën e sundimit te ligjit/shtetit të së drejtës.

Për Shqipërinë, qeveria holandeze ka thënë se ka bërë progres në fushat prioritare si Reforma në Drejtësi dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në seancë u tha se politika e qeverisë holandeze në lidhje me procesin e zgjerimit është strikte, e drejtë dhe mbështetëse e angazhuar.

Holanda thekson se vendimet për hapat e mëtejshme që duhen ndërmarrë në lidhje me pranimin ne BE, janë të bazuara në meritat individuale të vendeve.

Për këtë çështje, kryeministri shqiptar, Edi Rama ka shkruar se “Shqipëria u zhbllokua”.

Holanda kryesonte listën e vendeve skeptike për çeljen e negociatave të Shqipërisë në BE.