Arbëri

Haradinaj e quan Kurtin mashtrues ordiner

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka quajtur “mashtrues ordiner” kryeministrin Albin Kurti të cilin e ka akuzuar për qasje të gabuar në procesin e dialogut me Serbinë.

Ai ka përsëritur qëndrimin se në takimin e së martës në Bruksel, Kurti është dashur ta kërkonte njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë.

“Është pikërisht ajo që kemi paralajmëruar, rreziku nga mashtruesi Kurti, pra në këtë rast Kurti është mashtrues ordinder dhe po mashtron popullin e Kosovës me një qasje të rrezikshme në dialog, duke mos kërkuar substancën e paraparë për të cilën ne e synojmë dialogun por duke u shpërndarë në tema të panevojshme... Nuk është ky dialog, është humbje kohe dhe mashtrim për Kosovën, pra nuk është fokusimi të çështja kryesore që ka mbet njohja reciproke të cilën e ka theksuar presidenti Biden qartë në letrën e vet”, ka thënë Haradinaj për “KosovaPress”.

Sipas Haradinajt, Kurti po e kthen dialogun në fillim. Ai ka kritikuar Qeverinë e vendit edhe për propozimin që të krijohet Marrëveshja për Tregti të Lirë në Evropën Juglindore. Sipas tij, kjo është marrëdhënie më e avancuar se “Mini-Schengeni”. Edhe këtë ide e ka konsideruar të rrezikshme.

“Është një qasje e rrezikshme e kryeministrit Kurti, pra e gabuar, ai po e rikthen dialogun në fillim, po kërkon të krijojë marrëdhënie të re ekonomike tregtare pra me pikën 1 mes Kosovës dhe Serbisë, më të avancuara se ‘Mini-Schengeni’, para njohjes, që është një rrezik dhe njëkohësisht është proces që përfshinë BE-në dhe që stërzgjatet, po ashtu e ka të gabuar qasjen për një marrëveshje paqeje, ajo që i mbetet Kosovës me Serbinë është njohja, kryeministri ish dashtë pas gjithë kësaj kohe më në fund të shkojë me vetëm një pikë të rendit të ditës, njohjen reciproke dhe çështjet që lidhen me njohjen, por jo edhe ta relativizojë çështjen e njohjes me çështje të CEFTA-s dhe SEFTA-s”, ka shtuar ish-kryeministri Haradinaj.

Të martën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë për herë të parë në takim përballë presidentit serb, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Pas takimit në Bruksel, Kurti ka shkruar se ka shprehur gatishmërinë për dialog konstruktiv dhe njohje të ndërsjellë. Shefi i ekzekutivit ka thënë se nuk janë pajtuar për agjendën e dialogut ndërkohë ka bërë publike propozimet e tij të shtruara aty. Pajtim s’u gjet për asgjë, ndërsa u caktua që dialogu të vazhdojë para pushimeve të verës që nisin më 25 korrik.