Arbëri

Osmani ia vazhdon mandatin teknik EULEX-it

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ia ka vazhduar mandatin teknik Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

Osmani e ka bërë të qartë këtë nëpërmjet një letërkëmbimi me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell.

Osmani e ka njoftuar se mandati i EULEX-it vazhdohet për një vit me mundësi për të vazhduar edhe për një vit tjetër.

“Kjo ftesë duhet të përkrah Misionin Evropian të Sundimit të Ligjit deri më 14 qershor të vitit 2022, me mundësinë për vazhdim edhe për një vit pas një rishikimi të suksesshëm, bazuar në mandatin teknik të fokusuar në monitorim, këshillim, në pajtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, thuhet në letërkëmbim.

Në letër Osmani ka njoftuar se mandati do të jetë teknik, pa fuqi ekzekutive i bazuar vetëm në monitorim, mentorim dhe këshilldhënie, bazuar në letërkëmbimin e vitit 2018.

Osmani po ashtu në letërkëmbim ka thënë se në rast se dosjet e gjitha rasteve dhe dokumenteve gjyqësore të lidhura me të nuk janë dorëzuar te institucionet e Kosovës deri më 14 shkurt të vitit 2018 të bëhen këto deri më 31 dhjetor të këtij viti.

“Po ashtu do të vlerësoja konfirmimin tuaj se dosjet e të gjitha rasteve dhe dokumentet/materialet të lidhura me to, por jo të kufizuara në hetimet, dosjet e prokurorisë, procedurat gjyqësore, janë transferuar te institucionet e Kosovës deri më 14 shkurt të vitit 2018, siç është kërkuar në letërkëmbimet e kaluara në vitin 2018. Në rast se obligimi nuk është përmbushur, atëherë do të kërkoja që gjitha materialet e lartpërmendura t’i dorëzohen institucioneve të Kosovës, jo më vonë se më 31 dhjetor 2021”.

Osmani në letër drejtuar Borrellit ka cekur se pritet që kishin qytetarët e Kosovës ndaj EULEX-it kryesisht nuk janë përmbushur. Por, ajo ka falënderuar BE-në për përkrahjen e vazhdueshme dhënë Kosovës.

“Siç e dini, shkëlqesia e juaj, kur ishte adoptuar mandatin ekzekutiv fillestar i EULEX-it, ishte pritur që do të fokusohet në raste të krimit të nivelit të lartë dhe korrupsionit si dhe në raste të ndërlidhura me krimet e kryera nga regjimi i Millosheviqit gjatë luftës në Kosovës. Për fat të keq këto pritje të njerëzve të Kosovës kryesisht nuk u përmbushën, veçanërisht kur bëhet fjal për mandati ekzekutiv në këto çështje. Për këtë arsye pres që mandati këshillues, monitorues dhe mentorimit të kontribuojë vërtetë për të ndërtuar kapacitetet brenda sistemit të drejtësisë të Kosovës për t’iu adresuar këtyre çështjeve”, thuhet në letër.

{gallery}